Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 19.09.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për ndryshimin e taksës menaxhuese dhe propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve në Bordin për Rishqyrtimin e Ankesave.
Kërkesën për ndryshimin e taksës menaxhuese të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, para komisionit e prezantoi kryetari i Bordit të këtij fondi, Ymer Havolli. Komisioni vlerësoi se kërkesa nuk ka bazë ligjore për miratim dhe vendosi që të iniciojë plotësim-ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale në Kosovë.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërkaq, arsyetoi propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve në Bordin për Rishqyrtimin e Ankesave. Pas diskutimeve, komisioni përkrahu këtë propozim-vendim dhe e procedoi për miratim në Kuvend.