Lajmet e fundit

Takim pune i Bordit të Grupit të Grave Deputete me udhëheqës të NDI-së

E Marte, 18.09.2012




Bordi i Grupit të Grave Deputete në përbërje: Teuta Sahatqija , Flora Brovina, Donika Kadaj, Suzan Novobërdali dhe Alma Lama kishin një takim pune me z. Robert Benjamin, drejtor i NDI-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, znj. Laura Nichols, drejtore e NDI-së në Kosovë, si dhe z. Alex Charravina, drejtor i programit legjislativ nga NDI. Në këtë takim z. Benjamin u interesua për angazhimin e Grupit të Grave Deputete, kushtet e punës dhe veçanërisht për hartimin, amandamentimin dhe zbatimin e ligjeve. Ai u interesua edhe lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Barazinë Gjinore dhe ligjet të cilat ndikojnë në perspektivën gjinore.


Deputetet folën lidhur me praktikat në parlament, si dhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohen. Ato gjithashtu përgëzuan znj. Laura Nichols dhe stafin e NDI-së në Kosovë për rolin dhe kontributin e madh që kanë në përkrahjen e parlamentit. Theks të veçantë deputetet i dhanë kontributit të vazhdueshëm të NDI-se, në planifikimin dhe sendërtimin e objektivave strategjike të GGD-së, për fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë, përmes projekteve të ndryshme, si ai i bashkëpunimit të grave të zgjedhura në nivel qendror dhe lokal, Akademia e Grave Lidere në Kosovë etj. Deputetet vlerësuan edhe ndihmën e NDI-se për organizimin e takimeve, tryezave dhe aktiviteteve me deputetet, por edhe me gratë në asambletë komunale, partitë politike, shoqërinë civile dhe gratë në përgjithësi. Ky angazhim dhe këto aktivitete po inkurajojnë, fuqizojnë dhe promovojnë të arriturat e gruas si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej, në aspekte tjera me rëndësi për demokracinë në Kosovë.

Takim pune i  Bordit të Grupit të Grave Deputete me udhëheqës të NDI-së