Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
E Hënë, 17.09.2012
Pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta parlamentare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, gjatë të cilave deputetët kanë ngre shqetësime të ndryshme të qytetarëve të Kosovës, kurse pyetjeve të tyre u është përgjigjur ministri i Telekomunikacionit dhe i infrastrukturës, Fehmi Mujota, është pritur se do të zhvillohej debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë, lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, e kishte njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi (të premten me 14 shtator) se nuk mund të merrte pjesë në seancë për shkak të një agjende tjetër të tij, të planifikuar më herët. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i ka propozuar Kuvendit, që për shkak të mungesës së një pjese të madhe Kabinetit qeveritar, debati të shtyhet për një seancë tjetër të radhës.
Kërkuesi i debatit për privatizimin, kryetari i Grupit Parlamentar Vetëvendosje!, Visar Ymeri, por edhe kryetarët e grupeve parlamentare, LDK dhe AAK: Ismet Beqiri dhe Ardian Gjini, kanë kërkuar që seanca të vazhdojë me trajtimin e çështjes së privatizimit, duke e quajtur mungesën e qeveritarëve ikje nga debati dhe përgjegjësia. Partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, ndërkaq, e kanë quajtur të paefektshëm debatin, në kohën kur mungojnë kryeministri dhe ministrat e resorëve. Si përfundim, me shumicë votash është miratuar mocioni i GP të PDK-së për shtyrje në një seancë tjetër të debatit për privatizimin.
Në vazhdim të seancës, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka paraqitur para deputetëve Raportin vjetor (të njëmbëdhjetin me radhë) të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, që përfshin periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2011.
" Mjerisht, në Republikën e Kosovës gjendja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut lë shumë për të dëshiruar" ka theksuar Kurteshi, i cili ka pohuar se ato cenohen në vazhdimësi dhe vazhdojnë të jenë të brishta në secilën fushë të jetës.
"Humbja e besimit në shtetin ligjor dhe mungesa e angazhimit të mekanizmave shtetërorë për përmirësimin e kësaj gjendjeje, dëshmon mungesën e një ndërgjegjësimi për përmirësimin e kësaj gjendjeje.", ka theksuar Avokati i Popullit, duke shtuar se kjo gjendje forcon pozitat e kastës shkelëse të të drejtave dhe lirive të njeriut, përballë qytetarit gjithnjë e më të pafuqishëm. Ai ka tërhequr vëmendjen se institucioni i Avokatit të Popullit, bazuar në mandatin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore, në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë, përkatësisht për përmasat e shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut, nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, duke spikatur, më këtë rast, injorimin apo moszbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si edhe përpjekjet për dobësimin e tij.
Kurteshi ka pohuar se gjatë vitit raportues 2011, në Institucionin e Avokati të Popullit janë regjistruar 1453 raste të proceduara, ose 220 raste më shumë sesa në vitin paraprak. Duhet theksuar se përveç rritjes për 15% të numrit të qytetarëve që i janë drejtuar IAP me parashtresat e tyre, edhe numri i rasteve të zgjidhura pozitivisht është rritur dhe për herë të parë mbi 50%.
Numri më i madh prej tyre ishin ankesa kundër gjyqësorit, në të gjitha nivelet, ka theksuar Kurteshi, duke specifikuar se ankesat kanë të bëjnë zakonisht me zvarritjen e proceseve gjyqësore - vonimit të drejtësisë; moszbatimin e vendimeve të plotfuqishme të gjykatave - dështimi i shtetit për të vënë drejtësinë, dhe; parashkrimit të mbi 2300 lëndëve gjyqësore - ose thënë më qartë, mohimin e drejtësisë. Pastaj ka përmendur ankesat për dështimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e numrit të rasteve të vrasjeve me armë është evidente, kufizimin e lirisë së lëvizjes në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, si dhe në komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kurteshi ka theksuar gjendjen e rëndë ekonomike në vend, që prek shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, mungesën e perspektivës për të rinjtë, si dhe gjendjen e pensionistëve. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka kërkuar sërish nga Kuvendi i Republikës së Kosovës miratimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor si dhe Ligjit për sigurimin invalidor e pensional. Ai gjithashtu ka ripërsëritur kërkesën për përfshirjen e Konventës për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si një ndër instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut të zbatueshme drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës.
Në vazhdim të seancës për Raportin vjetor të Avokatit të popullit janë deklaruar kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, shefat e grupeve parlamentare, por edhe shumë deputetë të tjerë, si dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.
Deputetët nga radhët e pozitës kryesisht e kanë mbështetur raportin, duke theksuar edhe ndonjë teprim gjatë vlerësimit si të përkeqësuar gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Deputetët nga radhët e opozitës e kanë vlerësuar, madje edhe më alarmante, gjendjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Në fund, deputetët me shumicë votash e kanë miratuar Raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2011.
Po në seancën e sotme deputetët e kanë shqyrtuar dhe pas një debati të gjerë edhe e kanë miratuar edhe Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2011.
Në seancë është shqyrtuar edhe Raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011. Për mungesë kuorumi të deputetëve, raporti në fjalë ka mbetur të votohet në seancën e radhës.