Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti zëvendëskryeministrin e Kroacisë, Neven Mimica
E Hënë, 17.09.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Kroacisë, Neven Mimica, me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij, në funksion të ecjes më të shpejtë të Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Kryetari Krasniqi çmoi lart bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Kroacisë, me theks të veçantë marrëdhëniet ndërmjet parlamenteve respektive, por konsideroi, gjithashtu, se ka ende hapësira për rritjen e këtij bashkëpunimi, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishme përvojën kroate në rrugën e integrimit evropian, e cila, siç tha kryeparlamentari Krasniqi, mund të shfrytëzohet nga Kosova në këtë proces.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehu kënaqësinë që Kroacia së shpejti do të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe shfaqi besimin se shteti kroat do të jetë një zë i fuqishëm i Kosovës në institucionet e këtij unioni.
Kryetari Krasniqi u ndal edhe në sfidat e jashtme dhe të brendshme, me të cilat Kosova po përballet aktualisht.
Zëvendëskryeministri kroat, Neven Mimica, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e Kroacisë për t'i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit dhe veçanërisht, në përshtatjen e legjislacionit vendor me atë evropian.
Sa i përket problemeve në veri të Kosovës, Mimica tha se mënyra e dhunshme dhe funksionimi i strukturave paralele nuk është rruga nëpërmjet të cilave mund të arrihet diçka. Ai tha se procesi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, do të lehtësojë zgjidhjen e këtyre problemeve. Mimica shprehu qëndrimin e Kroacisë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe atij të Kroacisë, zëvendëskryeministri kroat tha se ekziston një bashkëpunim tashmë i konsoliduar, i cili është shprehur edhe nëpërmjet takimeve të komisioneve simotra.
Në takim u vlerësuan lart standardet që të dyja vendet manifestojnë ndaj pakicave, të cilat u konsideruan urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.