Lajmet e fundit

Grupi i Deputetëve të Rinj mbajti sot konferencën me temë: “Liberalizimi i vizave – çka nënkupton për të rinjtë’

E Enjte, 13.09.2012




Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me NDI-në, (Instituti Demokratik Kombëtar) organizoi sot konferencën me temë ‘' Liberalizimi i vizave - çka nënkupton për të rinjtë'
Temë diskutimi e kësaj konference ishte roli dhe angazhimi i të rinjve në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe definimi i mundësive që ofron ky proces për vetë të rinjtë kosovarë.


Me këtë rast kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj në Kuvendin e Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, mes tjerash foli për rolin e veçantë që e kanë të rinjtë gjatë këtij procesi, veçanërisht duke kontribuar përmes angazhimit të tyre në struktura rinore politike, organizata studentore dhe organizata tjera të interesit të përgjithshëm rinor.


Ndërsa, Robert Benjamin, drejtor rajonal i NDI-së për Evropën Qendrore dhe Lindore theksoi se një organizim i këtillë është esencial, për faktin se mund të ketë ndikim në rrjetëzimin e mëtutjeshëm të të rinjve, si brenda ashtu edhe jashtë kontekstit institucional në dobi të avancimit të këtij procesi . Në përmbyllje të fjalës së tij z. Benjamin deklaroi se të rinjtë janë pjesa vitale e demokracisë.


Panelistë të kësaj konference ishin edhe Ambasadori i Republikës Federale Gjermane ,z. Ernst Reichel, Ambasadori i Francës z.Jean François Fitou, si dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës theksuan dakordimin e tyre se Kosova është në rrugë të mirë drejt heqjes së regjimit të vizave, gjë e cila do të ishte e mirëseardhur sidomos për të rinjtë kosovarë, veçmas për ata të cilët synojnë avancim të arsimit dhe karrierës së tyre.


Ndërsa, ministrja Çitaku pasi dha një rezyme të përgjithshme të angazhimit institucional në rrugën e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave, ajo tha se solidarizohet me brengat e të rinjve duke premtuar vazhdimësi në angazhimin efektiv për të kaluar edhe këto sfida finale në prag të heqjes së vizave.


Në këtë konferencë po ashtu diskutuan edhe një numër i konsiderueshëm i të rinjve, aktivistë të forumeve rinore politike, organizatave studentore dhe organizatave tjera rinore.

Grupi i Deputetëve të Rinj mbajti sot konferencën me temë: “Liberalizimi i vizave – çka nënkupton për të rinjtë’