Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
E Enjte, 13.09.2012
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti), filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh të qytetarëve, ndërkaq, pyetjeve parlamentare i'u përgjigj ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota. Në vijim, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e një varg projektligjesh në leximin e parë dhe të dytë.
Fillimisht u shqyrtua Projektligji për procedurën përmbarimore, arsyeshmërinë e të cilit në emër të Qeverisë e paraqiti zv.kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Lidhur me këtë, ai tha se projektligji është me rëndësi të veçantë për sistemin e gjyqësorit në Kosovë. Ky ligj, tha në vijim Kuçi, do të pamundësojë grumbullimin e lëndëve të pambaruara, ndërkaq, infrastruktura gjyqësore me të do të kompletohet edhe më shumë. Esenca e këtij ligjit tha tutje ministri, ka të bëjë me rolin e përmbaruesve privat, ndërsa për sa i përket kostos për implementimin e tij, tha se është e ultë dhe e përballueshme për buxhetin e Kosovës. Pas deklarimit në favor të këtij projektligji nga ana e shefave të grupeve parlamentare, deputetët me shumicë votash e miratua në parim këtë projektligj.
Në vijim, deputetët në parim shqyrtuan edhe dy projektligje: Projektligjin për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës dhe Projektligjin për ujërat e Kosovës. Për qëllimin e këtyre projektligjeve dhe fushat që rregullojnë ato, foli ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi. Pas debateve lidhur me to, deputetët me shumicë votash i miratuan të dyja këto projektligje.
Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve në leximin e dytë, përkatësisht: Projektligjit për procedurën kontestimore, Projektligjit për bujqësinë organike, dhe Projektligjit për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Deputetët me shumicë votash i miratuan të gjitha amendamentet e këtyre projektligjeve.