Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 12.09.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i auditimit të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2011.

Pas prezantimit të raportit nga Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, i cili mes tjerash theksoi se janë ndërmarrë veprime shumë të vogla sa i përket adresimit të rekomandimeve, anëtarët e komisionit ngritën shqetësime të shumta rreth të gjeturave në UP nga ana e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, duke kërkuar sqarime të shumta nga prorektori Enver Kutllovci.

Raporti i auditimit të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2011, me opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes, ka ngjallur debat të gjerë mes anëtarëve të komisionit, auditorit dhe prorektorit.
Me këtë rast anëtarët e komisionit vlerësuan se bazuar në këtë raport janë shënuar mangësi në prezantimin e të hyrave vetanake dhe se rekomandimet e ZAP-it nga viti paraprak nuk janë adresuar tërësisht. Nga 8 rekomandimet e ZAP-it, 4 sosh janë në proces të adresimit, ndërkaq 4 të tjera nuk kanë filluar të adresohen, u theksua gjatë këtij takimi.
Më tej, kryetari i komisionit Ali Sadriu vlerësoi se të gjeturat e këtij viti janë të njëjta nga të gjeturat e vitit paraprak. Po ashtu, u kërkuan sqarime për shpenzimin e buxhetit, fletëpagesat e provimeve, çështjen e prokurimit, etj, madje disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se në UP ka keq menaxhim dhe keqpërdorim.

Me këtë rast prorektori Kutllovci duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit theksoi se në UP nuk mund të thuhet se ka keqpërdorim, meqë një fakt të tillë e ka vërtetuar gjykata dhe prokuroria. Porse, shtoi Kutllovci, mund të thuhet se ka keqmenaxhim, assesi keqpërdorim.

Me këtë rast ai përmendi memorandumin e Ministrisë së Financave dhe Universitetit të Prishtinës, i cili përcakton mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve nga të hyrat vetanake. Ai tha se 80 për qind nga këto të hyra shkojnë për paga, ndërsa 20 për qind shfrytëzohen për arsye tjera, si: pajisje, raste sociale, ligjërata, master, doktorata, etj.
Sa i përket shqetësimeve për investime kapitale, Kutllovci tha se meqë buxheti është aprovuar me vonesë, UP-ja nuk ka pasur mundësi të shpall tenderë për investime kapitale.
Më tej ai foli edhe për çështjen e borxhit, si një çështje shqetësuese që u ngrit gjatë këtij takimi nga ana e anëtarëve të komisionit. Prorektori Kutllovci tha se kjo çështje është në procedurë gjyqësore. "Kjo lëndë është në prokurori dhe jam i interesuar që kjo lëndë të zbardhet", tha mes tjerash Kutllovci.

Pas diskutimit anëtarët e komisionit e përkrahën raportin, duke u dakorduar që raporti i auditimit të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2011, të diskutohet edhe në seancë plenare, me rekomandimet e komisionit që të adresohen të gjeturat në raportin e ZAP-it.

Pikë e rendit të ditës e mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi i
raportit të auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vitin 2011, mirëpo për shkak të mos prezencës së ministrit të MASHT-it, Ramë Buja, shqyrtimi i këtij raporti është shtyrë për një mbledhje tjetër të radhës.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike