Lajmet e fundit
Seancë solemne e Kuvendit, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës
E Hënë, 10.09.2012
Me një seancë solemne dhe festive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën e udhëhoqi kryetari, dr. Jakup Krasniqi, është shënuar sot përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm personalitete të larta ndërkombëtare, si: ish-presidenti finlandez dhe hartues i planit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ish-ndërmjetësit Frank Uisner e Volfgang Ishinger, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, zëvendëskancelari, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Austrisë, Mihael Shpindeleger, shefin të ICO-së, Pieter Feith, përfaqësues të vendeve të tjera të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para deputetëve dhe të pranishmëve të shumtë, tha se data e sotme shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës së pavarur, e cila u dedikohet në radhë të parë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, por edhe miqve ndërkombëtarë që e mbështetën Kosovën bujarisht në këto vite të ndërtimit të shtetit, të demokracisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar. Kreu i Kuvendit theksoi se Kosova ka ndryshuar shumë në këto më pak se pesë vjet të pavarësisë, duke u kthyer nga një vatër potenciale e krizave të përhershme dhe plot rreziqe, në një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti rajonal.
"Nga dita e sotme, institucionet tona marrin përgjegjësi shtesë kushtetuese dhe ligjore. Shpreh bindjen që ato do të jenë në nivelin e detyrës dhe të pjekurisë shtetërore", theksoi kryetari Krasniqi.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Kuvendit u shprehu mirënjohjen e thellë të gjitha vendeve mike, në krye me SHBA-në dhe BE-në, që e njohën dhe e mbështetën pa rezervë pavarësinë e Kosovës.
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, në fillim të fjalës së tij, njoftoi Kuvendin se përmes vendimit formal të Grupit Drejtues Ndërkombëtar sot, mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës është përfunduar.
Ai u shprehu mirënjohje udhëheqësve të institucioneve të Kosovës për partneritetin e ngushtë dhe të suksesshëm të ndërtuar gjatë katër viteve e gjysmë. Feith tha se që nga fillimi ka qenë i vendosur që ta zhvillojë dhe inkurajojë pronësinë dhe përgjegjësinë vendore, që të bind dhe të mos urdhërojë; të emërojë e jo të shkarkojë; të udhëzojë e jo të korrigjojë.
"Kam dashur që të mos i kufizoj aktivitetet e institucioneve të Kosovës, por t'i informoj ato; të mos e demonstroj fuqinë e bashkësisë ndërkombëtare, por të zhvilloj fuqinë shtetit të pavarur. Si rezultat, e kam gjetur veten të jem më shpesh përkrahësi, mbase miku", theksoi Feith.
Në fjalën e saj, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, prezantoi të arriturat e Kosovës në fazën e shtetndërtimit, ndërsa ditën e sotme e konsideroi një ditë të shënuar për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova, me përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së saj, tregon se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm t'i kryejnë të gjitha obligimet në funksionimin e shtetit në të gjitha segmentet e punës dhe jetës.
"Ne sot jemi shoqëri e njerëzve të lirë, vend i shanseve dhe mundësive të barabarta, jemi shtet qytetar në të cilin të gjithë njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore, pavarësisht nga numri i tyre i gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat në mënyrë të barabartë në atdheun e tyre Republikën e Kosovës duke i pasur të gjitha garancitë kushtetuese dhe ligjore dhe duke qenë zot të vetvetes, përgjegjës dhe ndërtues të ardhmes së tyre", theksoi Jahjaga.
Kryeministri Hashim Thaçi, dha një historik të përpjekjeve të popullit të Kosovës për lirinë e pavarësinë e vendit, ndërsa u ndal në negociatat e Vjenës, proces ky që kulmoi me Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, i cili propozonte pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.
"Përkundër kompromiseve, ne e pranuam Planin, dhe pikërisht bazuar në këtë plan më 17 shkurt 2008, nga kjo foltore, nga kjo sallë, duke i dëgjuar të rrahurat e zemrës të stërgjyshërve tanë, do të shpallnim pavarësisë e Kosovës", theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ndonëse plani për pavarësinë e Kosovës u finalizua në Vjenë, themelet e tij u vendosën në Prishtinë, Prekaz, Krushë, Reçak, Gllogjan, e kudo në Kosovë.
Ai tha se të gjithë qytetarët, pas asnjë përjashtim, janë hisedarë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe miqtë ndërkombëtarë që mbështetën Kosovën duke angazhuar vajzat dhe djemtë e tyre në luftën për liri, rimëkëmbje dhe pavarësi.
Hartuesi i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, presidenti Marti Ahtisari, tha se po qëndron sot këtu për të festuar fundin e një rrugëtimi të gjatë. Ai tha se ky plan ishte rezultat i shumë muajve të punës së durueshme dhe të menduar të një ekipi diplomatësh dhe ekspertësh teknikë, në diskutim me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.
Ai tha se suksesi në Kosovë dhe suksesi në Serbi, nuk do të gjendet në një shtrëngim duarsh dhe në një kryetitull lajmesh, por në zbatimin e vazhdueshëm dhe me përkushtim të një plani i cili ka demonstruar rezultate të prekshme në terren në Kosovë.
"Kur e kam paraqitur planin, e kam ditur se ai ishte fillimi i një rrugëtimi të vështirë. Asnjëri nga ne nuk e ka ditur se sa i vështirë do të jetë ky rrugëtim. Por, plani është zbatuar", tha presidenti Ahtisari, duke shtuar se ky sukses është i jashtëzakonshëm. Ish-presidenti finlandez theksoi se si çdo shtet tjetër evropian që shkon në drejtim të duhur, Kosova do të vazhdojë ta ndjejë vëzhgimin e kujdesshëm të BE-së nëpërmjet raportit të saj të progresit.
"Propozimi Gjithëpërfshirës i ofron Kosovës mundësinë për stabilitet, prosperitet dhe qeverisje të mirë. Se a do të bëhet kjo mundësi realitet, kjo varet nga populli i Kosovës dhe në veçanti nga ju, përfaqësuesit e tyre demokratikë. Është në duart tuaja, dhe vetëm në duart tuaja, se a do ta bëni Kosovën me paragjykime apo tolerante, se a do ta bëni Kosovën të korruptuar apo të drejtë, se a do ta bëni Kosovën të dështuar apo të suksesshme", theksoi presidenti Ahtisari.
Zëvendëskancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Mihael Shpindeleger, ditën e sotme e konsideroi historike historike për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, po aq sa edhe për miqtë e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar. Me vendimet ligjore dhe kushtetuese të këtij Kuvendi, tha Shpindeleger, mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë po i vjen fundi ndërsa Kosova po hap një kapitull krejt të ri të shtetësisë së saj. Ai tha se kosovarët mund të krenohen me ato që kanë arritur në këto pak vite që nga shpallja e pavarësisë.
Shpindeleger shtoi se Austria është e nderuar që ka mundur ta shoqërojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt shtetësisë, si një partner i afërt dhe një avokat i aspiratave të drejta.
"Me përkushtimin tonë për Kosovën, ishte e logjikshme që ne t'i ofronim Presidentit Martti Ahtisaari që ta vendoste zyrën e tij në Vjenë. Kështu, bisedimet dypalëshe me Serbinë u mbajtën aty, edhe Propozimi Gjithëpërfshirës i Statusit (PGJS), baza e pavarësisë së vendit tuaj, u hartua në kryeqytetin tonë. Po ashtu, dy muaj më parë, përsëri në Vjenë Grupi Drejtues Ndërkombëtar përcaktoi se Kosova e kishte implementuar PGJS-në, në mënyrë që ne të mund të mblidheshim të gjithë këtu për të festuar. Prandaj unë mund të them me kënaqësi të madhe se ajo që u fillua në Vjenë mundi të përmbyllej me sukses po në Vjenë", tha zëvendëskancelari austriak.
Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ambasadori amerikan Frank Uisner, tha se pavarësia e Kosovës ka qenë e rëndësishme edhe për SHBA-të, sepse, siç u shpreh ai, sikur nuk do të kishte paqe në këtë vend, nuk do të kishte paqe në Ballkan dhe kur nuk do të kishte paqe në Ballkan, nuk do të kishte paqe në Evropë. Uisner tha se gjatë këtyre viteve, SHBA-të me miqtë e saj, kanë qëndruar në krah të Kosovës dhe se përgjegjësia e amerikanëve vazhdon edhe sot e do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
"Për mua ka qenë nder i veçantë që kam punuar më të gjithë ju. Jam krenar, si amerikan, për kontributin e shtetit tim në këtë rast, për mbështetjen tonë të vazhdueshme politike për pavarësimin e vendit tuaj, për kontributin e zonjave dhe zotërinjve tanë në uniformë, por edhe për mirëqenien ekonomike. SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën, për demokracinë e Kosovës, për sovranitetin tuaj, për integritetin territorial dhe për mirëqenien tuaj. Ky përkushtim është i veçantë, i cili ndahet nga të gjithë amerikanët", theksoi ambasadori Uisner, duke shtuar se edhe sot, ka detyra të mëdha të cilat presin dhe ato kërkojnë një përkushtim të plotë të kosovarëve dhe miqve të tyre kudo në botë.
Ambasadori Volfgang Ishinger, duke përgëzuar Kuvendin e Kosovës për punën e tij, tha se Kosova pa dyshim ka kaluar një rrugë të gjatë që nga shpallja e pavarësisë së saj. Në katër vitet e kaluara, theksoi Ishinger, ajo është zhvilluar në një shtet të qëndrueshëm demokratik dhe shumetnik të cilin e parashikonte "Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Marti Ahtisarit.
Ai tha se propozimi i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës e vitit 2008 përmbajnë të gjitha parimet dhe garancitë e nevojshme për të siguruar se kushdo në Kosovë, shqiptarët, serbët e Kosovës si dhe pakicat e tjera, njëlloj mund të jetojnë në mënyrë paqësore dhe në siguri, si dhe të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse bashkëqytetarët e tyre.
"Sot është ditë kremte, është ditë e urimeve për Kosovën, për parlamentin e saj, për qeverinë e saj, dhe më së shumti për tërë popullin e saj. Sot, fillon një kapitull i ri në historinë e Kosovës, i shtetit më të ri të Evropës. Por ai nuk do të jetë më pak sfidues për popullin dhe udhëheqësit e saj sesa që ishte kapitulli i fundit", theksoi ish-ndërmjetësi Ishinger. Diplomati gjerman tha se fatmirësisht, hovi në rrugën e Kosovës drejt Evropës është rritur gjatë muajve të fundit.