Lajmet e fundit
Fjala e Michael Spindelegger në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë
E Hënë, 10.09.2012
E nderuar Zonja Presidente,
Të nderuar Z. Kryetar, Kryeministër, Ministër i Punëve të Jashtme, Ministra, Deputetë të Kuvendit, Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Presidenti Ahtisaari, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Feith,
Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë historike për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj po aq sa është edhe për miqtë e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar.
Me vendimet ligjore dhe kushtetuese të këtij Kuvendi, mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës po i vjen fundi.
Kosova po hap një kapitull krejt të ri të shtetësisë së saj.
Kosovarët mund të krenohen me ato që kanë arritur në këto pak vite që nga shpallja e pavarësisë.
Austria është e nderuar që ka mundur ta shoqërojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt shtetësisë si një partner i afërt dhe një avokat i aspiratave tuaja të drejta.
Që prej fillimit - në ditët e errëta të shtypjes së Millosheviçit - nëpër ditët më të vështira të luftës, dhe në formimin e shtetit, ne kemi ecur gjithnjë përkrah miqve tanë kosovarë, duke iu dhënë çdo përkrahje të mundshme.
Më lejoni të përmend një shembull të vogël: kur studentët kosovarë u nxorën nga universitetet për të mësuar nëpër bodrume, ishin universitetet austriake ato të cilat iu ofruan vende studimi. Me krenari e them se edhe shumë anëtarë të qeverisë dhe parlamentarë të pranishëm sot këtu kanë përfituar nga këto mundësi.
Ose kontributi ynë për një mjedis të sigurt në mbarë Kosovën përmes KFOR-it, ku Austria është kontribuesi më i madh me trupa nga një vend jo-anëtar i NATO-s.
Ose angazhimi diplomatik i Austrisë: sa i përket kësaj, Ambasadorët Wolfgang Petritsch dhe Albert Rohan janë dy nga personalitetet më të njohura.
Me përkushtimin tonë për Kosovën, ishte e logjikshme që ne t'i ofronim Presidentit Martti Ahtisaari që ta vendoste zyrën e tij në Vjenë. Kështu, bisedimet dypalëshe me Serbinë u mbajtën aty, edhe Propozimi Gjithëpërfshirës i Statusit (PGJS), baza e pavarësisë së vendit tuaj, u hartua në kryeqytetin tonë. Po ashtu, dy muaj më parë, përsëri në Vjenë Grupi Drejtues Ndërkombëtar përcaktoi se Kosova e kishte implementuar PGJS-në, në mënyrë që ne të mund të mblidheshim të gjithë këtu për të festuar. Prandaj unë mund të them me kënaqësi të madhe se ajo që u fillua në Vjenë mundi të përmbyllej me sukses po në Vjenë.
Zonja Presidente, Z. Kryetar (i Kuvendit), Z. Kryeministër,
Rruga që Kosova ka bërë në vitet e shkuara është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Kjo është edhe si rezultat i përkrahjes që shteti i ri ka marrë nga shumë vende të përfaqësuara në këtë sallë të Kuvendit sot.
Dhe në pjesën më të madhe është falë vizionit, aftësive dhe përkushtimit të Presidentit Ahtisaari dhe ekipit të tij. Më lejoni që si përfaqësues i komunitetit ndërkombëtar , ta shfrytëzoj këtë rast për t'i shprehur Presidentit Ahtisaari mirënjohjen tonë më të thellë dhe vlerësimin më të lartë. Faleminderit shumë Z. President!
Unë po ashtu do ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar njeriun, i cili si Përfaqësuesi jonë Civil Ndërkombëtar, i udhëhoqi me sukses përpjekjet ndërkombëtare, së bashku me institucionet e Kosovës, për të implementuar të ashtuquajturin "Plani Ahtisaari": Z. Pieter Feith, ju falënderojmë shumë ju dhe kolegët tuaj!
Por mbi të gjitha, zonja dhe zotërinj, përparimi dhe zhvillimi i Kosovës që nga miratimi i Propozimit Gjithëpërfshirës të Statusit nuk na detyrohet ne ndërkombëtarëve, por funksionimit të institucioneve tuaja, punës dhe udhëheqjes nga udhëheqësit tuaj dhe çka është më e rëndësishmja nga ju, qytetarët e këtij vendi të ri.
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Me largimin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, komuniteti ndërkombëtar nuk do të largohet nga Kosova. Përkundrazi, ne jemi këtu për të qëndruar. Vetëm se cilësia e marrëdhënieve tona do të ndryshojë rrënjësisht.
Sot, komuniteti ndërkombëtar po e transferon sovranitetin e plotë nga niveli ndërkombëtar në nivelin vendor. Ne austriakët e bashkë-ndjejmë me ju. Pas Luftës së Dytë Botërore, na u deshën dhjetë vjet derisa e rifituam sovranitetin tonë të plotë. Por ne kthehemi pas dhe e shohim mbikëqyrjen e jashtme të Austrisë si një përfitim që na krijoi bazën solide për zhvillimin e Austrisë sot.
Zonja dhe Zotërinj,
Një periudhë transitore ka përfunduar për Kosovën dhe një epokë e re do të fillojë së shpejti - rruga juaj drejt BE-së.
Një ditë në të ardhmen jo shumë të largët do të jetë vetë Kosova ajo e cila do ta transferojë një pjesë të sovranitetit të saj të rifituar tek një autoritet mbi-kombëtar, ose sipas fjalëve të të ndjerit Presidentit Ibrahim Rugova:
"Vizioni im është se vendi ynë duhet të integrohet në BE, për ta transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje."
Me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, ish-kolegun dhe mikun tim Samuel Zbogar, me EULEX-in dhe me ambasadat tona - ne, të përkrahur nga miqtë tanë amerikanë, do të vazhdojmë t'ju mbështesim aktivisht në rrugën tuaj Euro-Atlantike.
Në reformat tuaja për liberalizimin e vizave, në përpjekjen tuaj për marrëdhënie kontraktuale me BE-në, në kërkesën tuaj për më tepër njohje dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare - ju mund të llogarisni në përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë!
Të nderuar kolegë dhe miq,
Dhënia e sovranitetit të plotë për Kosovën është një shenjë e qartë e besimit në institucionet, udhëheqësit dhe popullin e Kosovës. Por me këtë pushtet dhe pronësi vjen edhe përgjegjësia e plotë.
Dhe sfidat përpara janë të shumta:menaxhimi i dialogut me Serbinë, integrimi i Veriut, konsolidimi i institucioneve demokratike dhe strukturave të shtetit, lufta kundër korrupsionit të përhapur dhe krimit të organizuar, krijimi i klimës më të favorshme ekonomike dhe për investime.
Nuk ka kohë për të humbur tani. Bëhuni ambiciozë në rrugët tuaj të reformave. Jo për të na kënaqur ne ndërkombëtarëve, por për të krijuar një jetë më të mirë për qytetarët tuaj. Një jetë me siguri dhe dinjitet për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike, me krijimin e vendeve të punës dhe mundësive përfshirë edhe për të rinjtë ambiciozë dhe të talentuar që ju keni në vendin tuaj - shkurt: ndërtoni një perspektivë pozitive për të ardhmen.
Në këtë fillim të ri, mua më kujtohen fjalët e Nënës Terezë kur tha:
"E djeshmja shkoi. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë."
Në këtë kuptim, miq të nderuar, më lejoni t'ju uroj edhe një herë për këtë ditë. Më lejoni t'ju përgëzoj për punën tuaj të madhe, për pasionin tuaj dhe për durimin tuaj.
Vazhdoni me të njëjtën frymë kur të hasni në sfidat para jush, me vizionin e qartë të anëtarësimin në Evropën e bashkuar. Unë mund t'ju siguroj se Austria do të jetë përkrah jush edhe në këtë përpjekje!
Ju faleminderit shumë.