Lajmet e fundit

Fjala e Ambasadorit Martti Ahtisaari në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë

E Hënë, 10.09.2012




Zonja Presidente, Z. Kryetar i Kuvendit, Z. Kryeministër, Ministra, Deputetë të Kuvendit, Ambasadorë, Zonja dhe Zotërinj,

Po qëndroj sot këtu për të festuar fundin e një rrugëtimi të gjatë. Por, gjithashtu po e shënoj fillimin e një rrugëtimi tjetër.

Para pesë vitesh i pata ofruar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara një projekt për një demokraci sovrane, shumetnike të quajtur Kosovë. Sot, ne po festojmë adoptimin e plotë dhe përfundimtar të parimeve dhe strukturave të këtij projekti në institucione, procese dhe kornizën juridike të një shteti të pavarur dhe funksional.

Ky projekt - Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të cilin historia e quajti Plani i Ahtisaarit - ishte rezultat i shumë muajve të punës së durueshme dhe të menduar të një ekipi diplomatësh dhe ekspertësh teknikë, në diskutim me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.

Do të dëshiroja t'ia japë një porosi gjeneratës së re të diplomatëve që janë të mbledhur rreth Kosovës: ju lutem mos mendoni se ka rrugë të shkurtra për t'i gjetur. Ju lutem mos mendoni se ka truqe të reja kushtetuese për t'i provuar. Ju lutem mos i sakrifikoni nevojat e miliona njerëzve, që jetojnë në më shumë se një vend, e të cilët u janë nënshtruar aq shumë frustrimeve dhe pasigurive për një kohë shumë të gjatë.

Suksesi në Kosovë - dhe suksesi në Serbi - nuk do të gjendet në një shtrëngim duarsh dhe në një kryetitull lajmesh. Ai do të gjendet në zbatimin e vazhdueshëm dhe me përkushtim të një plani i cili ka demonstruar rezultate të prekshme në terren në Kosovë.

Kur e kam paraqitur planin, e kam ditur se ai ishte fillimi i një rrugëtimi të vështirë. Asnjëri nga ne nuk e ka ditur se sa i vështirë do të jetë ky rrugëtim. Por, plani është zbatuar.

Duke e marrë këtë parasysh, mendoj se suksesi të cilin e kemi parë në katër vite e gjysmë - suksesi të cilin po e festojmë sot - është i jashtëzakonshëm. Nëse në letrën time të fillestare që ia kam dërguar Sekretarit të Përgjithshëm unë e kisha ofruar jo vetëm një projekt, por një përshkrim të policëve të Kosovës, shqiptarë e serbë, vendet e rojës për Kishën Ortodokse Serbe; nëse e kisha ofruar përshkrimin sesi Qeveria në Prishtinë i ofron shërbimet administrative të cilat tani i ofron në veri të Lumit Ibër; nëse e kisha ofruar përshkrimin e asaj çfarë shohim sot në komunat me shumicë serbe që funksionojnë në kuadër të Kosovës së pavarur - atëherë Plani i Ahtisaarit do të shihej si një fantazi. Por kjo fantazi është bërë e vërtetë kjo arritje është suksesi ynë i përbashkët.

U shpreh mirënjohje kolegëve të mi për hartimin e planit fillestar, në veçanti për Albert Rohan, mikun dhe zëvendësin tim i cili ka dashur që të jetë këtu sot me ne dhe e di se ju uron çdo të mirë. Gjithashtu, i jam mirënjohës të gjithë ekipit për durimin në diskutimet e tyre dhe për mendimin e thellë gjatë dizajnimeve të tyre.

I shpreh mirënjohje Wolfgang Ischingerit dhe Frank Wisnerit - të cilët kam kënaqësinë t'i shoh këtu sot me ne - dhe për Alexander Botsan-Kharchenkon i cili, me dinjitet, shkoi përtej çdo mendimi të mundshëm duke u përpjekur që të gjejë një marrëveshje praktike mes Kosovës dhe Serbisë.

I shpreh mirënjohje personelit të Zyrës Civile Ndërkombëtare të cilët, nën udhëheqjen e Pieter Feithit, kanë qenë gardianët dhe udhëzuesit në procesin e zbatimit. Gjatë krijimit të postit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, ne kemi qenë të kujdesshëm për të mos e pasur një zyrtar i cili nuk mund të arrijë atë që ka qenë e nevojshme këtu dhe, në anën tjetër, për të pasur një zyrtar që nuk do të mund të ndalej nga kryerja e kësaj pune. Njësoj si cigaret, mandatet ndërkombëtare ofrojnë një lehtësim por kanë efekte anësore të dëmshme për shëndetin, dhe njësoj si cigaret ato mund të shkaktojnë varësi të rrezikshme. Mençuria, durimi dhe dinamizmi i diplomacisë së Pieterit kanë ndihmuar që t'ia sjellin Kosovës suksesin e sotëm, dhe kanë siguruar një arritje unike në historinë e diplomacisë së Ballkanit: mbylljen e një misioni ndërkombëtar.

Më së shumti u shpreh mirënjohje juve, udhëheqësve të Kosovës, dhe popullit që e përfaqësoni. Jeni ju ata që kanë punuar për ta bërë projektin tim një realitet konkret, me energjinë për të ndërtuar çka duket se e karakterizon peizazhin e Kosovës. Mbi të gjitha, ky është një sukses i Kosovës. Nga zyrat komunale e deri te Gjykata Kushtetuese, institucionet e përshkruara në projekt janë të mbushura me qytetarë të Kosovës që punojnë për ta bërë vendin e tyre funksional, dhe për t'i mbajtur parimet ndaj të cilave ne të gjithë jemi të përkushtuar.

Tani gjithçka varet nga ju.

Me OKB-në, ICO-në, BE-në dhe NATO-n, ju keni një përvojë të gjatë të monitorimit ndërkombëtar; si çdo shtet tjetër evropian që shkon në drejtim të duhur, Kosova do të vazhdojë ta ndjejë vëzhgimin e kujdesshëm të BE-së nëpërmjet raportit të saj të progresit. Por në fund është një monitorues edhe më i fuqishëm.

Nuk e kam fjalën për diplomatët të cilët do ta vlerësojnë Kosovën dhe do të vendosin nëse jeni partner i përshtatshëm për kombet e tyre. Nuk e kam fjalën për biznesmenët të cilët do ta vizitojnë Kosovën dhe do të vendosin nëse ofroni një vend të hapur dhe të drejtë për të bërë biznes. Nuk e kam fjalën për turistët të cilët do ta eksplorojnë këtë vend të bukur dhe do të vendosin nëse jeni rojtarë të mirë të mrekullive natyrore dhe trashëgimisë së pasur kulturore.

Mbikëqyrësit më të rëndësishëm të pavarësisë janë njerëzit e Kosovës. Janë vuajtjet e tyre, durimi i tyre dhe mbështetja e tyre që na ka sjellë këtu ku jemi sot. Qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive kanë përjetuar shumë dhimbje dhe e kanë pritur për një kohë shumë të gjatë një shtet i cili do t'i mbrojë ata dhe t'u japë fëmijëve të tyre rastin për më shumë paqe dhe stabilitet sesa që ata e kanë pasur për vete. Ata ua kanë dhënë besimin juve për të siguruar që vuajtjet dhe pritjet më në fund të çojnë në diçka pozitive.

Burokratët do t'i prodhojnë raportet e tyre, diplomatët do t'i shkruajnë telegramet e tyre. Por, ju do ta ndjeni vlerësimin më të ashpër kur i kujtoni ata që kanë dhënë jetën për këtë vend, dhe kur t'i shikoni në sy ata që do ta trashëgojnë atë.

Propozimi Gjithëpërfshirës i ofron Kosovës mundësinë për stabilitet, prosperitet dhe qeverisje të mirë. Se a do të bëhet kjo mundësi realitet, kjo varet nga populli i Kosovës, dhe në veçanti nga ju, përfaqësuesit e tyre demokratik. Është në duart tuaja, dhe vetëm në duart tuaja, se a do ta bëni Kosovën me paragjykime apo tolerante, se a do ta bëni Kosovën të korruptuar apo të drejtë, se a do ta bëni Kosovën të dështuar apo të suksesshme.

Kur e kemi shqyrtuar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, ka pasur një debat nëse Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin do të duhej të ruhej si një burim i veçantë i së drejtës. Besoj se vendimi i marrë është i drejtë, i përputhshëm me qëllimet e mia fillestare, që PGJS-ja të absorbohet tërësisht në kornizën kushtetuese dhe juridike sovrane të Kosovës.

Shikoj përqark kësaj dhome të madhështore, dhe i shikoj udhëheqësit, përfaqësuesit dhe zyrtarët e një vendi të lirë, të një vendi i cili i ka strukturat institucionale dhe juridike që do ta mundësojnë funksionimin e një demokracie funksionale, liberale dhe shumetnike, dhe të një anëtari të mirëpritur të familjes evropiane dhe botërore.

Ju falënderoj, ju përgëzoj dhe ju uroj sukses në rrugëtimin tuaj.

Fjala e Ambasadorit Martti Ahtisaari në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë