Lajmet e fundit
Fjala e Ambasadorit Wolfgang Ischinger në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë
E Hënë, 10.09.2012
- Kosova pa dyshim ka kaluar një rrugë të gjatë që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008. Në katër vitet e kaluara, ajo është zhvilluar në një shtet të qëndrueshëm demokratik dhe shumetnik të cilin e parashikonte "Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) i Martti Ahtisaarit.
- Sot jemi bashkë këtu për ta njohur dhe kremtuar këtë arritje, është nder dhe privilegj për mua të marr pjesë në këtë seancë ceremoniale të parlamentit. Ju falënderoj për ftesën.
- Propozimi i Ahtisaarit dhe kushtetuta e Kosovës e vitit 2008 përmbajnë të gjitha parimet dhe garancitë e nevojshme për të siguruar se kushdo në Kosovë - shqiptarët, serbët e Kosovës si dhe pakicat e tjera njëlloj - mund të jetojnë në mënyrë paqësore dhe në siguri, si dhe të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse bashkëqytetarët e tyre.
- Ky parlament ka luajtur një rol të konsiderueshëm në shndërrimin e këtyre parimeve kushtetuese në praktikë reale. Në vitet e kaluara, parlamenti u ka dhënë jetë parimeve të propozimit të Ahtisaarit sa u përket të drejtave të komuniteteve pakicë. Ai ka punuar në përmirësimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe - ortodokse. Ai ka hartuar strategjitë për pajtim.
- Në javët dhe muajt e kaluar, parlamenti ka përmbyllur transformimin e elementeve të mbetura të propozimit të Ahtisaarit në kushtetutën e Kosovës dhe në kornizën ligjore.
- Javën e kaluar, ai përfundimisht i ka miratuar ato ndryshime kushtetuese të cilat e heqin Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar nga korniza kushtetuese. Kësisoj, e ka përgatitur terrenin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë që u deklarua më parë gjatë ditës së sotme.
- Dhe në të ardhmen, një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë për mbrojtjen dhe avancimin e asaj që është arritur do t'i mbetet kësaj Shtëpie.
- Sot është ditë kremte, është ditë e urimeve për Kosovën, për parlamentin e saj, për qeverinë e saj, dhe më së shumti për tërë popullin e saj.
- Më lejoni të shtoj se merita është edhe për shkak të Pieter Feith, që pa u lodhur ka punuar në përmbushjen e mandatit të tij, duke e bërë rolin e tij dhe të zyrës së tij të panevojshëm. Tejkalimi dhe shfuqizimi me sukses i një mekanizmi mbikëqyrës ndërkombëtar është një rast shembullor për tërë Ballkanin Perëndimor dhe më tej.
- Në këtë kontekst, dëshiroj të përmend edhe KFOR-in, i cili - që nga viti 1999 - ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për krijimin e një mjedisi gjithnjë e më të qetë e të sigurt në Kosovë.
- Sot, fillon një kapitull i ri në historinë e Kosovës, i shtetit më të ri të Evropës. Por ai nuk do të jetë më pak sfidues për popullin dhe udhëheqësit e saj sesa që ishte kapitulli i fundit.
- Në veçanti, obligimi për të garantuar se të gjitha grupet etnike në Kosovë mund të jetojnë në paqe, se të gjithë ata do të marrin pjesë në jetën socio-ekonomike, do të vazhdojë të mbetet në rend të ditës.
- Arritja e kësaj nuk do të jetë më e lehtë nesër, sesa që ishte dje. Pas dekadash shtypjeje dhe hakmarrje, plagët e thella mbeten.
- Do të ishte gabim të kërkohej nga pjesëtarët e grupeve të pakicave të heqin dorë nga identitetet e tyre dhe krejt papritur ta shohin veten vetëm si kosovarë. Shteti nuk mund dhe nuk duhet të imponojë një identitet, por ai mund dhe duhet të krijojë një kornizë në të cilën ndjenja e përkatësisë mund të rritet. Ai mund dhe duhet t'u shtrijë dorën të gjithë qytetarëve të vet me një ofertë për pjesëmarrje dhe përfshirje që bazohet në respektin ndaj përkatësisë dhe identitetit të tyre.
- Kjo është posaçërisht e vërtetë për Veriun e Kosovës. Një kombinim i punës së madhe, i kreativitetit, durimit dhe i realizmit është i nevojshëm për të arritur atë që e parashikon kushtetuta e Kosovës edhe për sa i përket kësaj pjese të vendit: që të bëhet atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.
- Tashmë janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm mbi të cilët mund të vazhdohet puna. Nuk do të ketë ndonjë zgjidhje të lehtë. Posaçërisht, ndonjë përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje me forcë nuk do të ishte aspak e arsyeshme.
- Unë besoj se ata që e shkaktojnë pjesën e problemit duhet të bëhen edhe pjesë e zgjidhjes: Nuk do të ketë shmangie nga adresimi i çështjes së veriut edhe me Beogradin.
- Edhe në të ardhmen, Kosova do të gjykohet se në çfarë shkalle përmbush përgjegjësinë e vet për të mbrojtur manastiret serbe - ortodokse dhe objektet e tjera kulturore në vend. Këto objekte janë pjesë e historisë së përbashkët të rajonit; ato dëshmojnë faktin se Ballkani për shekuj ka qenë shtëpi e shumë religjioneve, kulturave dhe popujve të ndryshëm.
- Se KFOR-i e ka dorëzuar përgjegjësinë për shumë prej objekteve tek policia e Kosovës dëshmon besimin e bashkësisë ndërkombëtare në forcat e sigurisë së Kosovës - dhe pritjet e saj përkitazi me performancen e tyre. Kjo përgjegjësi para se gjithash nënkupton një obligim.
- Po ashtu, forcimi i mëtejmë i sundimit të ligjit nuk duhet të lihet pas dore. Kjo Shtëpi ka një përgjegjësi të veçantë edhe lidhur me këtë. Përkushtimi i vazhdueshëm ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar krijon bazën për tërheqjen e investitorëve të huaj që janë të nevojshëm për një zhvillim të shëndetshëm ekonomik. Po ashtu, incidentet e dhunës ndëretnike duhet të hetohen në plotni dhe në mënyrë të paanshme, ndërsa kryesit e veprave duhet të sillen para drejtësisë.
- EULEX-i ka një rol të pazëvendësueshëm për të luajtur në të dyja këto aspekte. Prandaj u ndjeva i lehtësuar para disa ditësh kur dëgjova se ky parlament ka vënë bazat për vazhdimin e angazhimit të EULEX-it. Ky ka qenë një sinjal shumë i rëndësishëm i përkrahjes për këtë mision të rëndësishëm për suksesin e të cilit janë të përkushtuara të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, dhe i cili mbetet hallkë lidhëse e angazhimit dhe e përfshirjes së Evropës në Kosovë dhe për Kosovën.
- Mbyllja e pritshme e Zyrës Civile Ndërkombëtare shtron pyetjen se ku do të vihet fokusi i angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë në të ardhmen. Gjersa KFOR-i natyrshëm do të vazhdojë të luajë rolin e vet në garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt sidomos në Veri, përgjigja mund të çojë vetëm te EULEX-i dhe Evropa. E ardhmja e Kosovës është në kuadër të Bashkimit Evropian, sikurse e ardhmja e të gjitha vendeve të saj fqinje.
- Dhe unë jam i bindur se një ditë përfaqësuesi i Kosovës do të ulet në tavolinë në Bruksel krah për krah me përfaqësuesin e Serbisë dhe do të diskutojnë për të ardhmen e Bashkimit Evropian, së bashku me shtetet tjera anëtare të BE-së.
- Për ta shndërruar këtë vizion në realitet nevojiten të bëhen hapa substancialë përpara: Së pari, Kosova dhe Serbia duhet t'i normalizojnë marrëdhëniet e tyre, dhe së dyti, Bashkimi Evropian duhet t'i forcojë lidhjet e veta me Kosovën. Ecja përpara në këto fronte mund të duket sikur të zgjidhësh dy nyja Gordiane përnjëherësh.
- Megjithatë, sa i përket marrëdhënies me Beogradin, nisma e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Zonjës Ashton për ngritjen e dialogut Beograd - Prishtinë në nivel politik paraqet një shans të madh për të arritur përparim real. Kosova vetëm se do të fitonte nëse e përqafon këtë mundësi në mënyrë krejtësisht të sinqertë dhe konstruktive. Si gjerman, më lejoni të shtoj se historia e vendit tim na ka mësuar se mirëkuptimi ndërmjet fqinjëve mund të hap rrugën për përparim për të dyja palët.
- Fatmirësisht, hovi në rrugën e Kosovës drejt Evropës është rritur gjatë muajve të fundit: hapja e dialogut për liberalizim të vizave dhe studimi i fizibilitetit nga Komisioni, i cili do të përmbyllet së shpejti paraqesin arritje të rëndësishme. Jam i bindur se shtetet anëtare të BE-së të mbledhura sot këtu do të vazhdojnë të japin shtytje për përparim të mëtejmë. I mbetet Kosovës të tregojë përkushtimin e saj në rrugën drejt Evropës duke iu përmbajtur agjendës së saj të reformave.
- Obelisku "Newborn" që ndodhet jo shumë larg nga këtu ku jemi mbledhur sot, nuk është më aq i shndritshëm, i ri dhe i pastër, sikurse që ishte kur u zbulua më 17 shkurt 2008.
- Por ai ende mban një premtim: se ky vend vërtet mund të zhvillohet në atë që ai ka vendosur të jetë: një shtet demokratik, i pandarë, shumetnik dhe i begatë që gëzon marrëdhënie të mira fqinjësore në mbarë rajonin.
- Madje, edhe më shumë se dje, përgjegjësia për ta shndërruar këtë premtim në realitet është e juaja. Bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t'u qëndrojë pranë.