Lajmet e fundit
Fjala e kryeministrit Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë
E Hënë, 10.09.2012
Fjala e kryeministrit Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë
I nderuari kryeparlamentar Krasniqi
Të nderuar deputetë,
Kabinet qeveritar,
Shumë i nderuari president Ahtisaari,
I nderuari zëvendëskancelar, Michael Spindelegger,
I nderuari z. Wisner,
I nderuari z. Ischinger,
z. Peter Faith,
Më lejoni që të drejtoj një përshëndetje në mungesë edhe Albert Rohan,
Të nderuar mysafirë,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
E mbaj mend si sot fillimin e shkurtit të vitit 2006. Në Vjenë po fillonte një proces i ri, një etapë e re në rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë
Në ditët e vështira të robërisë, Vjena ishte porta jonë e parë drejt Evropës, porta jonë e parë drejt lirisë.
Edhe familja ime ndan fatin e shumë familjeve në Kosovë.
Disa nga familjarët e mi migruan në Austri.
Më vonë për arsye politike do të emigroja edhe unë, fillimisht në Austri, pastaj në Zvicër, ku edhe lindi djali im, i cili sot, si edhe të gjithë fëmijët e Kosovës, po rritet e po edukohet në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Në momentet më të vështira të ekzistencës tonë, bota e civilizuar hapi dyert për ne, Bashkimi Evropian Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të bëheshin shtëpi e dytë për qindra mijëra kosovar në kërkim të ekzistencës, mbijetesës, dhe punës.
Zoti Spindelegger, unë sot jam kryeministër i Kosovës, por ju jeni zëvendëskryeministër i shumë kosovarëve që sot jetojnë në Austri.
Vjena sërish do të hapte dyert për Kosovën në vitin 2006.
Kësaj radhe, duke u bërë nikoqire e një procesi politik të ndërmjetësuar dhe të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari.
Asokohe, partia që unë drejtor ishte në opozitë. Por, sikurse atëherë ashtu edhe sot, pozita dhe opozita në Kosovë gjithmonë janë bërë një kur ka qenë interesat e Kosovës në pyetje.
Procesi i Vjenës do të kulmonte me Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, i cili propozonte pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.
Përkundër kompromiseve, ne e pranuam Planin, dhe pikërisht bazuar në këtë plan më 17 shkurt 2008, nga kjo foltore, nga kjo sallë, duke i dëgjuar të rrahurat e zemrës të stërgjyshërve tanë, do të shpallnim pavarësisë e Kosovës.
Të nderuar mysafirë,
Të nderuar të pranishëm,
Ndonëse plani për pavarësinë e Kosovës u finalizua në Vjenë, themelet e tij u vendosën në Prishtinë, Prekaz, Krushë, Reçak, Gllogjan, e kudo në Kosovë.
Janë me mijëra ushtarë të lirisë që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës, janë me mijëra invalid që dhanë gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës. Nderojmë sakrificën e lartë të veteranëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Me qindra e mijëra mësues që punuan pa asnjë kompensim për të mbajtur shpirtin tonë të gjallë.
Minatorë që na frymëzuan me rezistencën
Qindra mjek që shëruan plagët tona në istikame.
Artisët e shkrimtarë që përjetësuan heroizmin dhe dhimbjen tonë. Gazetarët që raportuan për to.
Sot një falënderim i veçantë shkon edhe për diasporën tonë, kudo që jetojnë, që ndau edhe kafshatën e gojës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pra, të gjithë qytetarët pas asnjë përjashtim janë hisedar në lirinë dhe pavarësinë tonë.
Janë miqtë tanë ndërkombëtar që mbështetën Kosovën duke angazhuar vajzat dhe djemtë e tyre në luftën tonë për liri, rimëkëmbje dhe pavarësi.
Sot, ju falënderohemi të gjithëve që janë në përjetësi dhe atyre që janë me ne. Ju falënderohem dhe përulem para nesh.
Kosova në shtator të vitit 2012 është shumë ndryshe nga ajo e vitit 1998 apo 2008.
Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me njohje të fuqishme ndërkombëtare dhe në përpjekje të vazhdueshme për t'u integruar në Bashkim Evropian.
Ndonëse progres i madh është shënuar, dhe kemi bërë shumë hapa përpara, Kosova e vitit 2012 nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Nuk është ende Kosovë që duam të lëmë trashëgimi për fëmijët tanë.
Liria dhe pavarësia janë parakushte për zhvillim, por nuk janë të vetëmjaftueshme.
Ditët si sot duhet të shërbejnë edhe si ditë reflektimi, për ta bërë Kosovën tonë më të mirë e më të prosperuar.
Zotohemi që do të punojmë bashkërisht për të realizuar objektivat tona, vizionin tonë, qëllimin tonë për t'u integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Si kryeministër, si prind, unë zotohem që do të punoj edhe më shumë, në mënyrë që Kosova që do t'ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë, të jetë jo vetëm e lirë dhe e pavarur, por edhe e zhvilluar dhe pjesë e familjes evropiane.
Ne kemi një rrugë të gjatë para nesh. Duhet të bëjmë shumë më shumë në luftimin e varfërisë, korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e raporteve me fqinjët tanë.
Në këtë drejtim, roli i Bashkimit Evropian është jetik. Këtë vjeshtë ne po përmbyllim një kapitull, atë të mbikëqyrjes së pavarësisë, por do të hapim një epokë të re, atë të integrimit evropian.
Dhe përkundër sfidave, debati i sotëm në diskursin publik se si duhet të duket Bashkimi Evropian, se si duhet transformuar ai për të vepruar më mirë. Për ne nuk ka shumë rëndësi, për ne ka rëndësi që Bashkimi Evropian të ekzistoj dhe ne të kemi shpresën dhe besimin e integrimit në të, jo të shtyrë ekskluzivisht nga përfitimet materiale që do t'i sjell BE-ja, sa të bindur se Bashkimi Evropian më shumë se çka do tjetër simbolizon dhe siguron paqe.
E paqja është ajo çka duam ne, jo vetëm për vetveten por edhe për fqinjët tanë. Përderisa do të vazhdojmë të punojmë në integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale e publike, unë jam i bindur që normalizimi i raporteve ndërshtetërore me Serbinë është i domosdoshëm për evropianizimin e rajonit.
Por ky normalizim me asnjë kusht nuk do të kaloj në kurriz të shtetësisë, sovranitetit, dhe integritetit territorial të Republikës sonë të re.
Ky normalizim do të jetë në funksion të integrimit dhe paqes mes shteteve në rajonin tonë të trazuar.
Të nderuar mysafirë,
Të dashur qytetarë,
Përkundër sfidave që na i sjell e ardhmja, ato në asnjë mënyrë nuk janë më të vështira që ato që tashmë i kemi kaluar bashkërisht. Unë jam i bindur që me unitet dhe bashkëpunim do t'ia dalim të ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën evropiane, për t'u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Edhe njëherë ju faleminderit shumë, dhe urime të gjithëve.