Lajmet e fundit

Fjala e Pieter Feith, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë

E Hënë, 10.09.2012




Z. Kryetar i Kuvendit, të nderuar deputetë të Kuvendit, Zonja Presidente, Kryeministër, President Ahtisaari, mysafirë nderi,

Kam nderin t'ju raportoj se - përmes vendimit formal të Grupit Drejtues Ndërkombëtar sot - mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës është përfunduar.

Zonja dhe Zotërinj,


Më 15 qershor 2008 më keni nderuar duke ma dhënë fjalën me rastin e miratimit formal të kushtetutës së re të Kosovës. Kushtetuta tani është ndryshuar për të marrë parasysh përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për të përfshirë vlerat dhe parimet kryesore të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin të Presidentit Ahtisaari. Kushtetuta tani qëndron e mëvetësishme si burim i vetëm juridik dhe i burim i lirisë në këtë vend.


Në ndërkohë, Kushtetuta është dëshmuar të jetë baza më e zhvilluar dhe më së miri e hartuar për zhvillimin e shtetësisë së Kosovës. Ajo ofron fleksibilitet derisa i mbron të drejtat themelore individuale dhe të komuniteteve. Kur ka qenë e nevojshme, Gjykata Kushtetuese na ka dhënë udhëzime plotësuese lidhur me kuptimin e dispozitave të ndryshme të saj.

Ndjehem i privilegjuar që kam rastin për t'iu drejtuar sot këtij Kuvendi. Dhe e theksoj se po e bëj këtë pa autorizime apo mandat ekzekutiv, por si mysafir i ftuar, e kjo më jep një nder dhe më të madh.
Së pari dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës për partneritetin e ngushtë dhe të suksesshëm që e kemi ndërtuar gjatë katër viteve e gjysmë. Kjo ishte një periudhë e punës së zellshme të bazuar në një ndjenjë të përbashkët të arritjes së qëllimit - e konsultimeve të vazhdueshme me ju Zonja Presidente, me ju Jakup, Hashim, Zëvendëskryeministër Hajredin Kuçi dhe me kolegët tuaj.


Mua më është dhënë detyra për të qenë mbikëqyrës - a është e mundur që mbikëqyrësi të zhvillojë ndjenja afërsie dhe miqësie? Si përgjigje në këtë pyetje do të thosha se mandati im ka qenë më shumë se mbikëqyrja, ai ka përfshirë përkrahjen. Përkrahjen për Kosovën dhe popullin e saj. Mbikëqyrje dhe përkrahje, përkrahje dhe mbikëqyrje. Kufiri është i ngushtë mes këtyre dyjave.

Që nga fillimi, qasja ime ishte e qartë: kam qenë i vendosur që ta zhvillojë dhe inkurajojë pronësinë dhe përgjegjësinë vendore. Që të bind dhe të mos urdhëroj; të emëroj e jo të shkarkoj; të udhëzoj e jo të korrigjoj. Kam dashur që të mos i kufizoj aktivitetet e institucioneve të Kosovës, por t'i informoj ato; të mos e demonstroj fuqinë e bashkësisë ndërkombëtare, por të zhvilloj fuqinë shtetit të pavarur. Si rezultat, e kam gjetur veten të jem më shpesh përkrahësi, mbase miku.
Gjatë kërkimit të kombinimit të duhur ndërmjet mbikëqyrjes dhe përkrahjes, unë jam motivuar nga tri konsiderata:


• Bashkëndjenja e fortë e duke qenë dëshmitar nga larg se si Kosovarët dolën nga errësira dhe vuajtja; gjithashtu nga besimi se dëshira e popullit për pavarësi dhe shtetësi ishte rrënjësisht e drejtë;
• Përkushtimi juaj i palëkundur për t'i respektuar dhe zbatuar kushtet e Planit të Presidentit Ahtisaari - dhe me këtë duke e siguruar peshën kah përkrahja dhe jo kah mbikëqyrja;
• Dhe e treta, duke shikuar përpara drejt fazës tjetër të historisë suaj, dëshira ime për të siguruar një tranzicion të lehtë drejt angazhimit tuaj me Bashkimin Evropian dhe të ardhmes suaj evropiane.

Në këtë çast, dëshiroj t'i shpreh mirënjohje Presidentit Ahtisaari dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë ribashkuar këtu. Martti, të jam thellësisht mirënjohës për besimin tënd që më ke rekomanduar për ta udhëhequr dhe zbatuar projektin tënd. Plani yt ka qenë burim i inspirimit të vazhdueshëm për ne.
Qëllimi yt ka qenë që të sigurohet stabiliteti; që të ndërtohen institucionet kryesore të shtetit, dhe që të mundësohet dinamika e zhvillimit të mëtejmë drejt një demokracie moderne shumetnike.


Unë kam refuzuar që të shpërqendrohem për shkak të mungesës së miratimit universal të planit. Në vend të kësaj, kam synuar energjinë dhe shpejtësinë në një front të gjerë të zbatimit. Pasi kam lexuar me kujdes planin tënd, si veprime prioritare i pata veçuar dispozitat rreth decentralizimit dhe themelimit të komunave të reja. Megjithatë, një dispozitë nga plani mund të elaborohet më tej në mënyrë të dobishme - mundësia për të krijuar bashkëpunim dhe partneritete ndërkomunale.

Kjo do të mund të siguronte bazën për një zgjidhje evropiane duke i sjellë më afër së bashku komunat serbe nga veriu dhe jugu i Lumit Ibër pa e dëmtuar funksionalitetin e Kosovës si shtet. Mbetem i bindur se parimet e Ahtisaarit mbeten baza më e mirë dhe e vetme për një të ardhme të qëndrueshme të komunave veriore si pjesë e vendit, dhe jam krenar që ICO-ja e ka ndihmuar Qeverinë për t'i marrë hapat e parë drejt zbatimit të këtyre parimeve duke e hapur një zyrë në veri.


Para një viti u paraqit ideja për mundësinë e përfundimit të shpejtë të mbikëqyrjes së pavarësisë. Elementet e një shteti stabil, funksional dhe të qëndrueshëm ishin në vend. Fatmirësisht, grupi i kombeve që e njohin dhe e përkrahin Kosovën ishte i gatshëm që ta mbështesë një epilog të tillë. U jam shumë falënderues këtyre shteteve për përkrahjen dhe inkurajimin që kam marrë nga to.

Megjithatë, ato po ashtu mendojnë se duhet më shumë punë për të bërë, dhe unë pajtohem me këtë. Udhëheqës dhe përfaqësues të Kosovës, ju nxis që ta kompletoni vizionin e Martti Ahtisaarit: ndarjen e pushteteve dhe qeverisjen duke u bazuar në vlerat dhe traditat evropiane, e jo në dallimet etnike; afrimin e komuniteteve me njëra-tjetrën brenda shtetit, hapjen e kontakteve dhe të dialogut me komunitetin serb në veri dhe ecjen drejt pajtimit dhe tolerancës në rajon. Duke e vepruar kështu, ju do t'i ofroni Laureatit të Nobelit dëshminë më të çmuar të vlerësimit dhe mirënjohjes.


Unë tani kam ardhur nga një rrugëtim i gjatë i cili më ka sjellë nga Lugina e Preshevës përgjatë kodrave mbi Tetovë dhe nga Prizreni në Prishtinë. Komunitetet shqiptare më kanë dhënë besimin e tyre dhe i kanë mbajtur premtimet e tyre. Serbët në Kosovë ndihen më të sigurt dhe kanë më shumë mundësi kur angazhohen në institucione sesa kur mbeten të izoluar.


Prandaj, po ju lë me ndjenjën e mirënjohjes së thellë për mirësinë tuaj, optimizmin tuaj përkundër rrethanave materiale dhe për mirësjelljen dhe miqësinë. Ju do të jeni gjithmonë në zemrën time.
Në fund, dëshiroj t'i përshëndes kolegët e mi të dashur në ICO, si kosovarë ashtu dhe ndërkombëtarë - që të gjithë jashtëzakonisht të talentuar dhe të përkushtuar, disa nga të cilët janë të pranishëm në këtë sallë ndërsa të tjerët kanë ecur tutje në etapat e reja të karrierave e tyre premtuese. Ishte një privilegj i rrallë që kemi qenë së bashku me ju në këtë ndërmarrje unike për të punuar për demokracinë më të re në Evropë. Pa ekipin e shkëlqyeshëm të cilin e keni përbërë nuk do t'ia kishim dalë mbanë.

 

Fjala e Pieter Feith, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë