Lajmet e fundit
Fjala e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajtur me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës
E Hënë, 10.09.2012
I nderuar zoti Piter Feit
E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga
I nderuar kryeministër i Qeverisë së Kosovës, zoti Hashim Thaçi
I nderuar president, zoti Marti Ahtisaari
I nderuar zëvendëskancelar dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Austrisë, zoti Michael Spindelegger
I nderuar ambasador, zoti Frank Wizner
I nderuar ambasador, zoti Volfgang Ischinger
Të nderuar përfaqësues të vendeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë
Të nderuar përfaqësues diplomatikë nw Republikwn e Kosovws
Të nderuar deputetë
Të nderuar mysafirë
Zonja dhe zotërinj
Kam nderin të hap këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në ditën e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit tonë.
Një nga provizionet e Propozimit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, ka qenë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së shtetit të saposhpallur, më 17 shkurt 2008.
Nuk u deshën as pesë vjet, për të qenë e panevojshme kjo mbikëqyrje.
Institucionet e Kosovës së pavarur, të përgjegjshme para qytetarëve, por edhe ndaj miqve ndërkombëtarë, vepruan shpejt dhe energjikisht për të zbatuar zotimet e proklamuara dhe dispozitat kushtetuese e të Pakos së Ahtisaarit.
Gjej këtë rast të mirë, t'u shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit e të qytetarëve që na kanë zgjedhur, gjithë vendeve mike, në krye me SHBA dhe BE-në, që e njohën dhe e mbështetën pa rezervë pavarësinë e Kosovës. Falënderoj nga zemra presidentin Ahtisaari, për angazhimet këmbëngulëse të tij për të arritur zgjidhjen e merituar ndërkombëtare për statusin politik të Kosovës dhe për prezencën e tij sot midis nesh. Dua të falënderoj dhe ndërmjetësuesit tjerë ndërkombëtarë në bisedimet e vështira për statusin e Kosovës, të cilët mbajtën parasysh të drejtën legjitime të vendit tonë për të qenë i lirë, i pavarur dhe demokratik.
Në këtë ditë të përfundimit të mandatit të tij, i shpreh mirënjohje zotit Piter Fejt, shef i ICO, i cili nuk ka mbajtur thjeshtë rol mbikëqyrës, por edhe mbështetës ndaj pavarësisë dhe institucioneve të saj. Përshëndes dhe falënderoj Grupin Ndërkombëtar Drejtues, për angazhimet e tij mbështetëse për Kosovën dhe për vendimin që mori sot në Prishtinë, për heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Zonja dhe zotërinj
Data e sotme shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës së pavarur. Kjo fitore dhe ky rezultat u dedikohet në radhë të parë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, por edhe miqve ndërkombëtarë që na mbështetën bujarisht në këto vite të ndërtimit të shtetit, të demokracisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.
Kosova ka ndryshuar shumë në këto më pak se pesë vjet të pavarësisë, duke u kthyer nga një vatër potenciale e krizave të përhershme dhe plot rreziqe, në një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti rajonal. Vargu i të arriturave të Kosovës është i gjatë, por ne jemi të ndërgjegjshëm edhe për shumë dështime e dobësi, si në plan të brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, si nga institucionet tona ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Kosova aspiron dhe angazhohet të jetë vend anëtar i OKB, BE dhe NATO-s, megjithëse në rrugëtim drejt këtyre objektivave historike, ajo pengohet nga obstruksioni i hapur e i padrejtë nga faktorë të jashtëm, por edhe nga dukuri negative, karakteristike për shoqëritë në tranzicion.
Ne i përmbushëm obligimet tona sipas Pakos së Ahtisaarit, por prezenca ndërkombëtare në Kosovë nuk arriti t'i përmbushë obligimet në veri të vendit. UNMIK, për dhjetë vjet atje, toleroi ndërhyrjen e Beogradit dhe krijimin e strukturave ilegale e kriminale, të cilat edhe sot mbajnë peng të drejtat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Te ura e Mitrovicës është ngritur dhe mbahet akoma një monument i shëmtuar, si simbol i ndarjes e izolimit, simbol i urrejtjes e kërcënimit, i quajtur trishtueshëm: Barrikadë. Qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe ata në veriun e saj, besoj shumë që edhe qytetarët e Serbisë, nuk kanë asnjë vullnet që t'i simbolizojë ai grumbull zhavorri, sepse është kundër civilizimit të tyre, është kundër lirisë e të ardhmes së tyre integruese dhe kundër interesave të tyre jetike.
Kosova kurrë nuk ka qenë as nuk është kundër dialogut e zgjidhjes së problemeve të përbashkëta në rrugë paqësore, si me çdo vend edhe me Serbinë, por nuk duhet pritur as ushqyer iluzione që Kosova do të tregtojë me integritetin, sovranitetin dhe rendin e saj kushtetues. Qëndrimi ynë për veriun e Kosovës, buron nga Pako e presidentit Ahtisaari dhe Kushtetuta e vendit. Ne do të ishim mirënjohës sikur Serbia të trajtonte komunitetin shqiptar atje, sipas standardeve tona për komunitetet pakicë.
Zonja dhe zotërinj
Nga dita e sotme, institucionet tona marrin përgjegjësi shtesë kushtetuese dhe ligjore. Shpreh bindjen që ato do të jenë në nivelin e detyrës dhe të pjekurisë shtetërore. Shoqëria jonë ndodhet para sfidave të mëdha të zhvillimit e përparimit, të luftës kundër varfërisë dhe krimit e korrupsionit. Perspektiva evropiane e Kosovës dhe integrimet euroatlantike përbëjnë në pak fjalë gjithë programin dhe vizionin tonë të së ardhmes. Ky vizion, kjo aspiratë historike e popullit tonë do të realizohet vetëm duke mobilizuar gjithë potencialin që kemi, pa dallim politik a krahinor, etnik a fetar. Ne jemi të bindur se do të vazhdojë edhe solidariteti i miqve tanë me Kosovën, sepse heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë, nuk nënkupton pushimin e mbështetjes ndërkombëtare.
Faleminderit