Lajmet e fundit
Mbledhja plenare e Kuvendit
E Premte, 07.09.2012
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, pikë e parë e rendit të ditës ishte miratimi i amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, të propozuara nga Qeveria e Kosovës.
Para deputetëve amendamentet i prezantoi zëvendëkryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në fillim iu drejtua të pranishmëve më këto fjalë:"Sot po shënojmë një hap përfundimtar në përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur të Republikës së Kosovës". Në vijim ai tha se amendamentet e propozuara kanë marrë pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe mbështetjen e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky është fryt i pjekurisë së institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, si dhe i mirëkuptimit për vlerësim pozitiv të bashkësisë ndërkombëtare. Nga sot, tha z. Kuçi, pritet të rritet përgjegjësia dhe funksionimi i shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës.
Në emër të Komisionit për Amandamentet e Kushtetutës së Kosovës, amendamentet i prezantoi kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami.
Në vijim kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së, KKR-së, SLS-së, dhe 6+, përkatësisht: Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Myzejene Selmani, Ardian Gjini, Sasha Milosavleviq dhe Rasim Demiri, përkrahën amendamentet, duke theksuar se përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur është një fazë e rëndësishme dhe akt kulmor në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ndërkaq, Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, kishte mendim krejtësisht ndryshe rreth këtyre amendamenteve, duke theksuar se po humbet një rast që të bëhet një kushtetutë e denjë. Ai theksoi se me këtë kushtetutë mohohet identiteti kombëtar i shqiptarëve, si shumicë në këtë shtet.
Në vijim deputetët miratuan amendamentet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Në vazhdim të seancës Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë. Prezantimin e këtij projektligji gjithashtu e bëri zëvendëkryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
"Është kënaqësia ime që sot të prezantoj para jush marrëveshjen e arritur përmes shkëmbimit të letrave ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Përfaqësueses së Lartë për punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton. Për ta ratifikuar këtë marrëveshje, kemi përgatitur edhe ligjin përcjellës, përkatësisht Ligjin për Ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë", tha ai.
Dihet e kaluara aspak e lehtë e Kosovës, pasojat e së cilës vazhdojnë të ndihen edhe sot, por ndërkohë Kosova po përpiqet me çdo fuqi që ka për ta ndërtuar një shoqëri demokratike, përparimtare, të zhvilluar ekonomikisht dhe me vlera të larta shoqërore, ndërkaq sundimi i ligjit mbetet si njëra nga fushat më sfiduese në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta.
Sot, duke e njohur nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm me BE-në, aspiratat tona për forcim të mëtutjeshëm të sundimit të ligjit në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka propozuar këtë shkëmbim letrash si modalitet për të zgjatur mandatin e EULEX-it në Kosovë, duke e njohur atë si marrëveshje ndërkombëtare.
Qëllimi i këtij ligji është të ratifikojë marrëveshjen në tërësi, duke përfshirë këtu, por pa u kufizuar nga: zgjatja e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara në marrëveshje deri më 15 qershor 2014; delegimi i autoritetit për propozim dhe emërim të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, në përputhje me Kushtetutën, neni 20, dhe autorizon Qeverinë për të ndërtuar një sistem regjistrimi për armë-mbajtjen e lejuar nga stafi i EULEX-it; garantimin e imunitetit të stafit të zyrës dhe personelit të EULEX-it dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, në bazë të Ligjit Nr. 03/L-033 për Statusin, Imunitetin, dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike e Konsullore dhe të Personelit të tyre dhe të Prezencës ushtarake në Kosovë", theksoi z. Kuçi.
Ndërkaq, në emër të Komisionit për Legjislacion këtë projektligj e prezantoi kryetari i këtij komisioni, Arben Gashi. Gjatë debatit kryetarët e gjashtë grupeve parlamentare përkrahën miratimin e këtij projektligji duke theksuar se me këtë projektligj institucionet dhe qytetarët e Kosovës marrin përgjegjësi të mëdha për ndërtimin e shtetit, zhvillimin e tij, si dhe luftimin e dukurive negative, ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk është në rregull që pa një diskutim substancial të miratohet ky projektligj. Vazhdimin e afatit të EULEX-it ai e quajti defekt të demokracisë në Kosovë.
Pas debatit Kuvendi miratoi këtë Projektligj.