Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 06.09.2012




Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Xhavit Haliti), pas shterimit të pikave të përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët me shumicë votash miratuan Projekt-rezolutën lidhur me përdorimin e tri (3) kodeve të huaja telefonike në Kosovë. Përkrahjen e deputetëve e mori edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për kredi dhe projekt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KFQW) lidhur me fabrikën e ujit në Shkabaj, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Bedri Hamza.

Me këtë rast propozuesi i çështjes ministri Hamza duke e quajtur këtë projekt si shumë të rëndësishëm për vendin, sqaroi mes tjerash se Ministria e Financave pas negociatave të zhvilluara me Bankën Gjermane për Zhvillim ka arritur që të hyjë në marrëveshje financiare për kredi në shumë prej 20 milionë euro dhe në marrëveshje për kontribut financiar me grand në shumë prej 4.9 milionë euro.

Ai tha se këto mjete do t'i dedikohen sektorit të ujit në komunën e Prishtinës, duke theksuar më tej se projekti parashihet të finalizohet në dy faza, me ç'rast përmendi faktin se kjo do të siguronte furnizimin me ujë për tërë regjionin e Prishtinës. Ministri Hamza vlerësoi se kapacitetet e ujit do të jenë të mjaftueshme që të ketë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm përgjatë 20-30 vitet e ardhshme për regjionin e Prishtinës.

Pikë e rendit të ditës e seancës së sotme plenare ishte edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, mirëpo kjo pikë e rendit të ditës me shumicë votash të deputetëve është shtyrë për shqyrtim në mbledhjen e radhës, pas mocionit që u ngrit nga shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Me këtë rast Beqiri vlerësoi se projektligji ka defekte dhe duhet t'i kthehet qeverisë, duke shtuar se projektligji nuk i plotëson kërkesat elementare të pensionistëve.

Në vjim të mbledhjes, në shqyrtim të parë u përkrah edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë,të cilin e prezantoi ministri i Financave Bedri Hamza, si dhe Projektligji për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme, të cilin e prezantoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari.

Përkrahjen e deputetëve në shqyrtim të parë e mori edhe Projektligji për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji, pas prezantimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Me këtë rast ministri Buja tha se kjo do të krijojë një sistem të mirëfilltë ligjor dhe efikas, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Buja shtoi se ndërhyrja e qeverisë për ndërhyrjen e rregullimit dhe organizimit të veprimtarisë kërkimore, shkencore, inovacion dhe tekonologji, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme për të përcaktuar rregullat standarde të organizimit të veprimtarisë kërkimore, shkencore, inovacione dhe teknologji, për të evituar veprimet e kundërligjshme në këto fusha.

Tutje, deputetët përkrahën në parim edhe Projektligjin për arsimin dhe aftësimin profesional, Projektligji për arsimin dhe aftësimin për të rriturit në Republikën e Kosovës, (të cilat projektligje i prezantoi ministri i MASHT-it, Ramë Buja), si dhe Projektligjin për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit, (të cilin e prezantoi ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar),

Gjatë shqyrtimit në lexim të parë të Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, deputetët paraqitën disa nga shqetësimet e tyre, me theks të veçantë tek pasuria e komunave, për tokën dhe objektet që janë në pronësi të komunës. Tutje, u tha se kjo çështje duhet të plotësohet gjatë amendamentimit të këtij projektligji në mënyrë që të parandalohet mundësia e abuzimit në pronën e komunave.

Pas diskutimit të deputetëve, Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës u përkrah me shumicë votash.

Në vijim të mbledhjes plenare deputetët përkrahën në shqyrtim të dytë edhe këto projektligje: Projektligjin për taksën rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për grevat, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji.

Krejtësisht në fund deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L- 049 për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Xhevdet Neziraj, gjatë arsyetimit me rekomandime të këtij raporti, tha se grupi punues i komisionit ka vizituar dhe monitoruar këtë ligj në të gjitha institucionet që merren me zbatimin e këtij ligji. Duke sqaruar se komisioni ka vizituar Ministrinë e Financave, Njësinë e Intelegjencës Financiare, Bankën Qendrore, Doganën e Kosovës, Prokurorinë Speciale, Administratën Tatimore, Neziraj tha se komisioni ka ardhur në përfundim se ky ligj ka filluar të zbatohet, por zbatimi i tij ka pasur zbrazëti dhe ngecje.

Duke numëruar disa nga rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Neziraj tha se Ministria e Financave në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, gjatë procesit të plotësim ndryshimit të këtij projektligji të paraparë në programin legjislativ të qeverisë, duhet të përcaktojë saktësisht kompetencat e njësisë së intelegjencës financiare, sa i përket inspektimit. U tha se janë vërejtur zbrazëtira gjatë inspektimit në raportimin e bankave, institucioneve financiare dhe kazinove.

 

Mbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e Kuvendit