Lajmet e fundit
Takimi përgatitor i grave deputete për manifestimin Ditët e Hapura Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
E Mërkure, 05.09.2012
Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me UN-WOMEN mbajti sot takimin përgatitor për manifestimin "Ditët e Hapura Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë". Në takim u vlerësua progresi dhe ngecjet gjatë periudhës nga takimi i vitit 2010, kur edhe është bërë raportimi i situatës në Kosovë. Takimin e hapi anëtarja e Bordit të GGD-ës , deputetja Flora Brovina, e cila ngriti çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës dhe faktin që nuk është ndërmarrë asgjë kundër dhunuesve.
Znj. Donika Kadaj Bujupi foli për çështjen e krijimit të fondeve për t' i ndihmuar dhe nxitur gratë për veprimtari ekonomike, ndërsa deputetja Suzan Novobërdali foli për prezencën e pamjaftueshme të grave në vendimmarrje . Flora Macula nga UN-WOMEN foli për rëndësinë që kanë këto çështje të adresohen në KS të OKB-ës .
"Ditët e Hapura Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë" kanë për qëllim krijimin e komunikimit në mes grave nga shtetet e ndryshme. Parashihet me këtë rast edhe një takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-ës, në të cilin do të flitet për shqetësimet e tyre aktuale.
Takimit i kontribuan edhe deputetet Sevdie Lama e Teuta Haxhiu, si dhe përfaqësuese nga shoqëria civile.