Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 05.09.2012




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, shqyrtoi dhe përkrahu tri raporte të auditimit: raportin e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Financave, Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe të Doganës së Kosovës, për vitin 2011.

Në këtë takim të pranishëm ishin: ministri i Financave, Bedri Hamza, drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, përfaqësues të Doganës së Kosovës, si dhe Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson.

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Olofsson, theksoi faktin se ndjehet i kënaqur që këto tri institucione kanë dalë me opinion të pastër dhe kanë shënuar progres. Duke përmendur disa nga mangësitë që janë shënuar në këto institucione si të gjetura nga auditori, ai tha se kanë rënë dakord me këto institucione se do të punohet për eliminimin e këtyre mangësive.

Gjatë këtij takimi foli edhe ministri Hamza, me ç‘rast përmendi se tri raportet e këtyre institucioneve janë me opinion të pakualifikuar dhe pjesa dërmuese e rekomandimeve të ZAP-it, janë implementuar.

"Ne kemi përgatitur edhe planet e veprimit për këto tri institucione, si dhe rekomandimet e këtyre raporteve, të cilat i kemi marrë me shumë seriozitet. Pjesa më e madhe e rekomandimeve deri në këtë periudhë janë implementuar, ndërsa pjesa tjetër do të implementohet gjer në fund të këtij viti", tha Hamza, duke shtuar se në raportin e vitit 2012 do të ketë progres, krahasuar me atë paraprak.

Më tej ministri Hamza, drejtori i ATK-së, Haliti dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës, u përgjigjen në pyetjet dhe shqetësimet e anëtarëve të komisionit që u ngritën gjatë këtij takimi, bazuar në të gjeturat e auditorit.

Në vijim të takimit anëtarët e komisionit shqyrtuan planifikimin për sezonin e auditimit 2012/2013. Me këtë rast Auditori Gjeneral , Olofsson, tha se po planifikojnë që të bëjnë auditimet e detyrueshme dhe se gjatë kësaj periudhe do t'i mbulojnë të gjitha. Si një çështje ende të pazgjidhur ai e përmendi edhe çështjen e Agjensisë Kosovare të Intelegjencës, ndërsa përmendi edhe auditimin e komunave, si dhe auditimin e pasqyrave vjetore financiare të ndërmarrjeve publike.

Anëtarët e komisionit gjatë diskutimit të tyre shpalosën idetë e tyre se cilat organizata buxhetore duhet të jenë primare për t'u audituar, duke përmendur mes tjerash edhe auditimin e rregullsisë për Universitetin e Prishtinës, Avokatin e Popullit, Gjykatën Kushtetuese, etj. Ndërsa, si të domosdoshme ata e vlerësuan auditimin për KOSTT-in (operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut).

 

 

Nga mbledhja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike