Lajmet e fundit
Dëgjim publik në Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 05.09.2012
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me Statutin e Universitetit të Prishtinës, i cili rregullon punën dhe mbarëvajtjen e UP-ës.
Në debatin e gjerë të përfaqësueseve nga njësi të ndryshme të Universitetit të Prishtinës u dhanë shumë propozime dhe sugjerime, që kishin për qëllim ofrimin e zgjidhjeve sa më të mira në këtë dokument të rëndësishëm. Ndër vërejtjet më të mëdha në tekstin e Statutit të UP-ës ishin ato se në të nuk janë përcaktuar mirë kompetencat e institucioneve, që ka për rrjedhojë mosfunksionimin e duhur të tyre. Në vijim u tha se është e nevojshme që me dispozita përkatëse të përcaktohet çështja e përfaqësimit gjinor në organet e gjithmbarshme të UP-së, të përcaktohen më mirë sidomos kompetencat e fakulteteve, të senatit,posaçërisht sa i përket të drejtave të këshillave të fakulteteve, pastaj të evitohen disa mospërputhje sa i përket terminologjisë, që kanë të bëjnë me titujt e mësimdhënësve universitarë, përkatësisht të harmonizohen termat në mbarë tekstin e Statutit.
Mjaft fjalë u bë edhe rreth funksionit të institucioneve në shkallë universiteti, për kohëzgjatjen e këshillit drejtues, të zgjedhjes së rektorit etj. Kishte propozime që dekanët e fakulteteve të zgjidhen nga ana e këshillave të fakulteteve e të miratohen nga senati. U tha se tekstit të Statutit duhet t' i bëhet një redaktim gjuhësor e terminologjik sipas standardit gjuhësor letrar.