Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Marte, 04.09.2012
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Fikrim Damka, kryetar, ka diskutuar për Projektligjin për shëndetësinë dhe organizimin e punës për amendamentimin e tij.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili ishte i pranishëm në këtë mbledhje, duke bazuar në rëndësinë e këtij projektligji dhe në funksion të një pune të koordinuar e të arritjes së rezultateve sa më optimale, shfaqi gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij dhe të ministrisë që ai udhëheq, në procesin e amendamentimit të projektligjit.
Konform kësaj, ministri Agani prezantoi para komisionit disa propozime për plotësim-ndryshime në tekstin si projektligjit, të cilat do të mund t'i shërbenin komisionit gjatë fazës së amendamentimit.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, shfaqen qëndrimet e tyre lidhur me idetë e prezantuara nga ministri, si dhe modalitetet për organizimin e institucioneve shëndetësore.
Në vazhdën e punës së tij dhe në funksion të amendamentimit të projektligjit, komisioni pritet ta mbajë një tryezë pune, në të cilën do të diskutohet në hollësi përmbajtja e projektligjit do të jepen zgjidhje për çështjet e trajtuara.