Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Marte, 04.09.2012
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me ministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci dhe kryeshefin ekzekutiv të Agjencionit të pyjeve të Kosovës (APK), Ahmet Zejnullahu diskutuan për gjendjen e krijuar në pyjet e Kosovës, pas përfshirjes së tyre nga zjarri. Kryetari i komisionit, Nait Hasani, fillimisht falënderoi ministrin për prezencën e tij dhe kërkoi nga ai që të japë një raport lidhur me hapat që ka marrë ministria për parandalimin, shuarjen dhe sajimin e dëmeve në pyjet e kapluara nga zjarri.
Ministri, ndërkaq, gjendjen e krijuar në disa pyje të Kosovës e quajti dukuri të përditshme, e cila ka rrezikuar edhe jetët e njerëzve. Për tejkalimin me sukses të kësaj situate, ai kërkoi angazhim të të gjithëve. Kjo situatë, vijoi ai, i tejkalon përgjegjësitë e një ministrie, andaj për tejkalimin e kësaj situate duhet të jemi së bashku edhe kur nuk kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ai me këtë rast falënderoi njësitet e zjarrfikësëve, pjesëtarët e FSK-së dhe qytetarët, të cilët duke rrezikuar jetët e tyre kanë bërë që dëmet të jene më të vogla. Ndonëse me Ligjin për pyjet, përgjegjësia për ruajtjen e pyjeve është në kompetencë të institucioneve komunale, ministri Stavileci, kërkoi që të mblidhen të gjithë faktorët relevant për të hartuar një strategji mbrojtëse të pyjeve.
" Pa u munduar që dikush dikujt t'ia hedhë fajin, duhet të jemi bashkë që në vitet e ardhshme të përballemi me sukses me dukurinë e zjarreve", tha ministri.
Duke iu referuar një Raporti të drejtorëve regjional për dëmet e deritashme të shkaktuara në pyje, foli kreshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu. Sipas këtij Raporti, sipërfaqja pyjore e përfshirë nga zjarret arrin në 3400 ha, nga të cilat 2900 ha, janë pronë shteti. Ndër komunat më të goditura janë: Peja Dragashi, Deçani dhe Prizreni, njoftoi Zejnullahu, dhe shtoi se deri në momentin kur po raportojmë në Kosovë janë aktive 15 vatra zjarri. Edhe kryeshefi i APK-së foli për kompetencat e ndara, duke shtuar me këtë rast se pavarësisht kësaj, APK-ja s'ka mundur të rrijë duarkryq kur janë në pyetje asetet shtetërore. Ai me këtë rast foli edhe për rrezikun që kanë hasur gjatë ndihmës në shuarjen e zjarrit, duke vënë në pah edhe rrezikun nga minat e pashpërthyera. Zejnullahu, në vijim hodhi poshtë edhe disa nga pretendimet për zjarrëvënie të qëllimshme me qëllim përfitimi. Lidhur me këtë, ai njoftoi se APK-ja, në të gjitha komunat ka bërë evidentimin e masës drusore, me ç'rast edhe pas përfshirjes së zjarrit, në të gjitha komunat kemi pasqyrë të qartë mbi dëmet në pyje. Ai, po ashtu tërhoqi vëmendjen në disa deklarime publike, të cilat sipas tij ndikojnë negativisht në situatën e krijuar, sepse, sipas tij faktor kyç në shkaktimin e zjarreve janë temperaturat e larta dhe pakujdesia e qytetarëve.
Pas diskutimeve, komisioni kërkoi nga MBPZHR-ja që lidhur me këtë çështje, të ofrojë raport më të detajuar.