Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Marte, 04.09.2012




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetari Albin Kurti, ka shqyrtuar raportin për përputhshmërinë e akteve nënligjore me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilin, me kërkesë të komisionit, e ka përgatitur eksperti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Dren Doli. Raporti është vlerësuar shumë profesional dhe do t'i shërbejë grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Jashtëm, në përbërje: Albin Kurti, Hydajet Hyseni dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Albin Kurti i ka njoftuar anëtarët e Komisionit me përgjigjet në letrën dërguar pesë komisioneve homologe të shteteve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Deri më tani janë përgjigjur komisionet nga Spanja dhe Sllovakia.

Në mbledhjen e sotme është vendosur që gjatë këtij muaji të thirret për të raportuar para Komisionit ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë mirëpritur gatishmërinë e NDI-së për ta mbështetur këtë komision duke e angazhuar ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Dervishi.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme