Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 03.09.2012




Komisioni për Legjislacion mbajti sot dëgjim publik për Projekt-kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetari i komisionit Behar Selimi, kryesues i grupit të punës për amendamentimin e Projekt-kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim ishin të pranishëm zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe përfaqësues të Prokurorisë së shtetit, Institutit Gjyqësor të Kosovës, Avokatit të Popullit, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Fakultetit Juridik, Lidhjes së Juristëve të Kosovës, etj.

Gjatë këtij dëgjimi publik u vlerësua se Projekt-kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës do të përmirësojë sistemin juridik në Kosovë dhe do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të gjykatave, ndërkaq, shqetësimet që u ngritën gjatë këtij takimi ishin të karakterit teknik.

Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë diskutimit të tij theksoi se Projekt-kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Prokurorinë, ekspertët juridik, EULEX-in dhe Ambasadën Amerikane.

"Jemi munduar të eleminojmë zbrazëtirat që janë vërejtur gjer më tani në ligjin i cili është në fuqi, si dhe dobësitë që janë hasur gjatë zbatimit praktik.

Kemi marrë për bazë gjykatën evropiane dhe praktikën e saj për të drejtat e njeriut", tha mes tjerash zv/kryeministri Kuçi, duke shtuar se është shikuar edhe praktika gjyqësore për të siguruar që risitë që sjellin të garantojnë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Më tej Kuçi sqaroi se Projekt-kodi i cili ka 549 nene, i ndarë në gjashtë pjesë dhe 38 kapituj, do të jetë shumë më ndryshe se kodi aktual. Ai tha se është harmonizuar me të drejtën aktuale të unionit evropian për të drejtat e njeriut, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet tjera bazike që ndërlidhen me këtë kod.

"Kodi i ri i procedurës penale është ndërtuar mbi të gjitha mundësitë dhe burimet njerëzore që i ka Republika e Kosovës. Kemi përfshirë standardet më të mira ndërkombëtare, por që kanë mundësuar që drejtësia të vihet në vend në mënyrë efikase duke përdorur më pak gjyqtarë dhe duke u mundësuar gjyqtarëve të punojnë në rastet e mbetura më parë", tha Kuçi.

Ministri i Drejtësisë vlerësoi se Kodi i ri i procedurës penale është ndërtuar për të luftuar krimet aktuale në Republikën e Kosovës. "Garanton standardin ndërkombëtar, veçanërisht në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, por u jep njëkohësisht mundësi më të mëdha Policisë dhe Prokurorisë sonë që të hetojnë aktivitetet komplekse kriminale, siç janë: krimi i organizuar , krimet financiare dhe korrupsioni", tha ai duke shtuar se policia, prokuroria dhe gjyqtarët kanë detyra të qarta dhe kompetenca të definuara mirë.
Pasi theksoi se kodi do të jetë praktik, ministri Kuçi tha se me këtë kod janë përcaktuar shumë saktë edhe kompetencat e bashkëpunimit të policisë me prokurorinë, ndërsa numëroi edhe disa nga ndryshimet esenciale që kanë ndodhur në këtë projekt-kod.

Ndërkaq, Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, gjatë fjalës së tij tha se Projekt-kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës në radhë të parë do të fuqizojë pozitën e prokurorit në procedurën penale. Si njërën nga çështjet më kryesore ai e përmendi çështjen e rregullimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë. Më tej ai vlerësoi se ky projekt-kod është më i qartë për zbatimin e tij, ndërsa dha disa vërejtje në disa dispozita të kodit.

Me këtë rast folën edhe anëtarët e komisionit të cilët Projekt-kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës e vlerësuan si një të arritur, krahasuar me zgjedhjen ligjore që është ofruar nga kodi i mëparshëm, duke shtuar se Projekt-kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës pas një punë jo shumë të gjatë do të aprovohet në Kuvend.

U theksua se gjatë fazës së shqyrtimit dhe amendamentimit do të eliminohen mangësitë.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion