Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin e Gjermanisë, dr.Ernst Reichel

E Hënë, 03.09.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim lamtumirës me ambasadorin e Gjermanisë, dr.Ernst Reichel, i cili shkon në detyrë të re. Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi e falënderoi ambasadorin e deritashëm për bashkëpunim të frytshëm, duke i uruar suksese në karrierën e mëtejshme diplomatike e politike. Në këtë frymë ai theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë shumë të mira, por ato duhet të avancohen edhe më tutje."Kosova mund dhe duhet të mësojë në shumë aspekte nga Gjermania, që ka një nga demokracitë më të zhvilluara në Evropë. Prezenca e Gjermanisë në Kosovë ka qenë dhe do të jetë e mirëseardhur", theksoi kryetari i Kuvendit Krasniqi.

Në vijim të takimit u fol për detyrat që shtrohen para Kuvendit të Kosovës në kuadër të përfundimit të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur. Përkitazi me këtë ambasadori gjerman tha se shumica e ligjeve që kanë të bëjnë me këtë proces tashmë kanë kaluar, duke shprehur besimin se do të kalojë edhe reforma kushtetuese. Në këtë kontekst ambasadori gjerman tha:"Sytë e botës do të jenë të kthyer nga ju".

Temë e takimit të sotëm ishte edhe çështja e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me ketë u tha se duhet të bëhen përpjekje për biseda që do të japin rezultate, duke u angazhuar njëherësh që edhe marrëveshjet e arritura të respektohen dhe të zbatohen .

 

 

Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin e Gjermanisë, dr.Ernst Reichel