Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës
E Premte, 31.08.2012
Në vazhdimin e seancës së djeshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zhvilluar sot debat parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë. Kërkesa për debat ishte shtruar nga deputeti Agim Kuleta, i mbështetur nga një grup deputetësh nënshkrues. Lidhur me këtë çështje Kryesia e Kuvendit, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës materialin bazë për debatin me sotëm, që edhe është realizuar.
Duke arsyetuar kërkesën për debat, deputeti Agim Kuleta ka përkujtuar që Kosova që nga pas lufta ka shfrytëzuar kode të huaj telefonike, të cilat, ka thënë ai, për habinë e shumëkujt, vazhdojnë të përdoren edhe pas shpallje së pavarësisë së Kosovës. Dhe kjo nuk ndodh për shkak të pamundësisë apo paaftësisë për të pasur Kosova kodin e saj telefonik, por për shkak të mungesës së vullnetit, ka theksuar Kuleta. Ai tutje ka specifikuar dëmet ekonomike, dëmet politike dhe ato të sigurisë shtetërore që i shkaktohen Kosovës duke përdorur kode të huaja telefonike (VALA- të Monakos, IPKO-ja - të Sllovenisë dhe telefonia fikse - atë të Serbisë).
Duke qenë i vetëdijshëm për kushtet e vështira të Kosovës, derisa vendi nuk është anëtar i OKB-së, parashtruesi i kërkesës për debat ka ngritur idenë që Kosova ta adoptojë kodin telefonik të Shqipërisë +355.
Duke marrë pjesë në debat, Zenun Pajaziti, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, e ka quajtur rast të mirë, temën e rrahur, për t'i konstatuar aktivitetet e pareshtura të institucioneve të Kosovës, për ta pasur kodin e saj telefonik. Ai, ndërkaq, e ka quajtur shumë të rëndësishme edhe marrjen e kodit për përdorim të internetit, duke theksuar se marrja këtyre kodeve, kapërcen mundësitë e sotme të Kosovës, duke mos qenë anëtare të OKB-së. Ai ka theksuar se janë bërë tratativa për të marrë nga Unioni Ndërkombëtar për Telekomunikacion ( ITU) kodet rezervë të pa shfrytëzuara , + 883 dhe 884.
Vjosa Osmani, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, e ka quajtur të panevojshëm këtë debat parlamentar, derisa në seancë mungon ministri i resorit dhe kabineti qeveritar, prandaj edhe nuk ka dashur të debatojë më gjatë në këtë temë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, arsyen pse është vonuar ky debat parlamentar e ka parë tek bojkotimi seancave gjatë muajit korrik nga deputetët e koalicionit qeveritar, kurse e ka quajtur shqetësuese pse në këtë debat mungon ministri i resorit. Ai ka pohuar se ka pasur raste kur Unioni Ndërkombëtar për Telekomunikacion ka dhënë kode për vendet joantare të OKB-së, kurse e ka quajtur shumë të dobishme që në ndërkohë Kosova të përdorte kodin telefonik të Shqipërisë.
Shefja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, duke pohuar se pas luftës, çështja e kodeve ka qenë kompetencë e UNMIK-ut, ka shtruar pyetjen se ç'kanë bërë kjo qeveri dhe ato të shkuarat, për të pasur Kosova kodet e saja të telefonisë dhe të internetit.
Edhe deputetët e tjerë të Kuvendit, pjesëmarrës në këtë debat parlamentar: Shaip Muja, Glauk Konjufca, Emin Gërbeshi, Hydajet Hyseni e Albin Kurti, kanë ngritur shqetësime të ndryshme për shfrytëzimin në Kosovë të tri kodeve të huaja telefonike dhe për pasojat largvajtëse të mospasjes së kodit shtetëror të Kosovës.
Për mungesë kuorumi, kryesuesi i vazhdimit të seancës, Xhavit Haliti, e ka shtyrë votimin e rezolutës, së propozuar nga deputeti Agim Kuleta dhe grupi mbështetë i deputetëve, për seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.