Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 30.08.2012




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, e cila ishte vazhdim i mbledhjes së 13 dhe 14 korrikut të këtij viti, filloi me shqyrtimin e tekstit të mocionit të interpelancës së ministres, Mimoza Kusari-Lila, sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues lidhur me vendimin e MTI-së për vendosjen e tarifës prej 35 % për importimin e çimentos. Për këtë pikë debati kishte përfunduar në mbledhjen e kaluar. Ndërkohë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, kishte marrë vendim për përfundimin e masës mbrojtëse. Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së shprehu pakënaqësinë me mënyrën e ecurisë së mbledhjes së kaluar nga koalicioni, sa i përket kësaj pike, kurse propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, pasi më nuk ka bazë të shqyrtohet. Në vijim Kuvendi vendosi që këtë pikë ta heqë nga rendi i ditës.

Në vijim të mbledhjes, një pjesë të cilës e kryesoi , nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi. Pas debatit, gjatë të cilit u dhanë disa vërejtje e sugjerime,ky Projektligj u përkrah në parim.

Në vazhdim u miratua Projektligji për pasurimin e miellit, si dhe u përkrah në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim, të cilin e prezantoi, Fatmir Xhelili. Një nga efektet kryesore të këtij ligji do të jetë prodhimi i letërnjoftimeve biometrike.

Prezantimin e Raportit të dytë për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrim evropian për vitin 2012, e prezantoi kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane , Lutfi Haziri, i cili theksoi se para Kuvendit nga ky Raport dalin 222 sfida, prej të cilave janë adresuar 142 sosh. Në mbështetje të këtij Raporti, tha ai, janë miratuar edhe ligje përkatëse, si dhe një Rezolutë. Pas debatit deputetët e miratuan këtë Raport.

Shqyrtimi i Raportit vjetor të punës së Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për vitin 2011, ishte pika vijuese e seancës, të cilin Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës dhe Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa e vlerësuan mjaft të kompletuar, ndërkaq nga debati pati mendime se në këtë Raport ka edhe disa mangësi. Pas debatit Raporti u miratua.

Shqyrtimit të Raportit vjetor dhe pasqyrave të audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2011 i prinë me fjalët e tyre Ali Sadriu, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Ata e vlerësuan Raportin si shumë të mirë dhe në harmoni me normat ligjore. Si nga kryetarët e komisioneve, ashtu edhe gjatë debatit u tha se ka mundësi që të bëhet më shumë në politikën e këtij trusti sa i përket investimeve, të cilat duhet të orientohen më shumë në Kosovë.

Në vazhdim të seancës u shqyrtuan rekomandimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Rekomandimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media u zgjodhën : Xhemail Krasniqi, Shefki Ukaj, Emrush Kastrati, Drita Begolli dhe Nevzat Hydaverdi.

Ndërkaq, anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës u zgjodhën: Fadil Bajraktari, Ismet Bexheti, Majlinda Hajrullahu, Rrahman Paçarrizi dhe Ivan Velkoviq.

Pika e fundit, debat parlamentar lidhur me përdorimin e tri (3) kodeve të huaja telefonike në Kosovë, sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, do të shqyrtohet në mbledhjen e nesërme.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit