Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani
E Enjte, 30.08.2012
Para se të fillonte seanca solemne, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, ka pritur sot presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe për mundësitë e gjera të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Duke e uruar presidentin Nishani për detyrën me përgjegjësi që ka marrë në krye të shtetit shqiptar, Krasniqi e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e saj të pakursyer dhënë Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimeve. Duke u ndërlidhur me konditat e reja në Shqipëri dhe Kosovë që lidhen me shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, Krasniqi ka theksuar se po krijohen hapësira të reja të zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai me këtë rast ka pohuar se Kosova po e forcon shtetësinë e saj dhe se klasa politike e Kosovës ka arritur konsensus për çështjet e rëndësishme me peshë kombëtare.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka quajtur privilegj të madh që vizitën e parë të tij, si president, po e bën pikërisht në Kosovë, rruga e së cilës për liri dhe dinjitet ka qenë e vështirë dhe me shumë sakrifica të sa e sa brezave. Ai ka shprehur kënaqësi për zhvillimet pozitive në Kosovë, duke nënvizuar se nuk ka dimension më të madh për një vend dhe një komb sesa liria. Vetëm duke e gëzuar lirinë krijohen mundësitë e gjera për demokraci të mirëfilltë dhe për zhvillim ekonomik, ka theksuar presidenti. Standardet e larta demokratike të Kosovës në garantimin e të drejtave njeriut dhe të komuniteteve etnike, Nishani i ka quajtur të padiskutueshme nga çdo vend demokratik. " Pranoni gatishmërinë time, jo vetëm për të qenë mik, me secilin prej jush, por edhe për t'u angazhuar për të gjitha çështjet me interes për Kosovën", u është drejtuar ai kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.