Lajmet e fundit

Seancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani

E Enjte, 30.08.2012




Me rastin e vizitës në Kosovë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne, në të cilën presidenti shqiptar ka mbajtur një fjalë rasti.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, duke i uruar presidentit Nishani mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, tha se kjo vizitë e nivelit të lartë, është shprehje e marrëdhënieve të ngushta midis Shqipërisë dhe Kosovës, e lidhjeve të shumëfishta midis dy vendeve, por edhe e nevojës së thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

"Vizita e presidentit shqiptar në Kosovë, përbën një rast të mirë për vlerësimin e përparimit dhe zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, në interes të përbashkët, sepse konsideroj që mund dhe duhet bërë shumë më tepër nga të dyja vendet dhe nga të dyja palët", tha Krasniqi.

Vizita e presidentit të Shqipërisë, u shpreh më tej kryetari i Kuvendit, e ka edhe një simbolikë të saj të veçantë, se është në përvjetorin e 100-të të shtetit të pavarur të Shqipërisë.

"Prandaj, shikuar në këtë rrafsh, kjo vizitë tregon edhe për ecjen gjatë këtyre 100 viteve që e ka bërë populli ynë", theksoi Krasniqi.

Presidenti Nishani, ndërkaq, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, u shpreh:

"E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga
I nderuar kryeministër, z. Thaçi
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
Zonja dhe zotërinj,

Pakkush ka nderin dhe privilegjin të flasë nga një foltore kaq e nderuar. Unë jam njëri prej tyre, veçanërisht me fat edhe për disa arsye të tjera: në ditët e para të mandatit tim si President i Republikës së Shqipërisë, në vizitën e parë në këtë post shumë të nderuar dhe në këtë moment fatlum, kur Kosova është plotësisht sovrane dhe e pavarur, kam mundësinë e madhe të marr fjalën në Parlamentin e nderuar të Republikës së Kosovës dhe t'i drejtohem popullit të Kosovës me urimet më të përzemërta për begati dhe prosperitet.

Ju falënderoj ju, të nderuar deputetë dhe kryetarin Krasniqi, që ma bëtë këtë nderim, që përbën një moment kulmor dhe nga më emocionalët të jetës sime. Përfitoj nga rasti, të falënderoj gjithashtu Presidenten e Republikës së Kosovës, për ftesën e saj që ta vizitoj Kosovën dhe për pritjen e mrekullueshme që na është rezervuar.

Së pari, më lejoni që të përulem me nderim dhe respekt të veçantë për të gjithë ato gjenerata burrash dhe grash që me pushkë e pendë kontribuan në rilindjen e kombit shqiptar, lindjen e shtetit shqiptar, që sot mbush 100 vjet, mbajtjen gjallë të dëshirës për liri të Kosovës dhe çlirimit të saj.

Sot nderojmë plot krenari, një nga burrat më të mëdhenj të kombit shqiptar, presidentin e ndjerë Rugova, njeriun që politikën paqësore e ktheu nga një utopi në një mjet të fuqishëm për artikulimin e aspiratave të një populli për liri.

Sot përkulemi më mirënjohje të thellë dhe nderim të madh për Komandantin frymëzues Adem Jashari dhe për të gjithë luftëtarët dhe martirët, që me sakrificën sublime inspiruan një popull dhe botës i treguan se për liri shqiptarët nuk njohin kufirin e flijimit.

Mirënjohje pa kufi miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të NATO-s, që bazuar në parimet e humanizmit dhe vlerat demokratike, vepruan pa hezitim dhe me forcë për të shpëtuar një popull paqedashës dhe liridashës nga kërcënimi i spastrimit etnik.
Vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, që i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur, çertifikoi arritjet e mëdha të Kosovës brenda një periudhe kohore të shkurtër në konsolidimin e demokracisë, bazuar në ekonominë e treguat, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe shndërrimin nga një kërcënim në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Tashmë hapet një kapitull i ri i funksionimit të Republikës së Kosovës, si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur, i cili ka të drejtën legale dhe morale për të kërkuar njohjen nga ato vende që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe e meriton të zërë vendin e saj në familjen evropiane dhe institucionet ndërkombëtare.

Angazhohem solemnisht, para jush dhe popullit të Kosovës, se gjatë mandatit tim presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nismat dhe forumet rajonale, mbështetjen e saj në rrugën e integrimit euroatlantik.

Ju, deputetët e Kuvendit të Kosovës, institucionet, shoqëria civile, keni meritën që Kosova ndonëse e re në moshë si shtet, të mos konsiderohet e tillë, falë pjekurisë së institucioneve të saj. Por, është koha, kur përgjegjësia e gjithë faktorëve të mësipërm të Kosovës është shumë më e madhe.

Në një demokraci parlamentare, parlamenti është zemra e demokracisë, kuvendi ku prodhohen ligjet që vihen në themel të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Mbetem thellësisht i bindur se ju do të vazhdoni të gjeni kurajën qytetare për tu ngritur mbi motivet politike dhe të gjeni konsensusin e nevojshëm për çështje në interes kombëtar dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Me punën tuaj serioze dhe me përkushtimin tuaj, ju do tu shërbeni qytetarëve të Kosovës të çdo etnie dhe përkatësie fetare dhe do të shpërbleni bujarinë, ndihmën dhe përkrahjen e demonstruar nga miqtë tanë, SHBA, BE dhe të gjithë miqtë e tjerë, e cila besoj se nuk do të mungojë as në të ardhmen.

Asnjëherë nuk do të harrojmë të respektojmë sakrificat, vuajtjet, momentet e mbijetesës.

Ata që u flijuan për liri dhe dinjitet.

Përmes kësaj kujtese ne shikojmë drejt së ardhmes.

Virtyti i shqiptarëve ka qenë gjithmonë dialogu dhe qasja për komunikim.

Ai mbetet mjeti më efektiv për zgjidhjen e problemeve mes fqinjëve dhe projektimit të së ardhmes së përbashkët euroatlantike.

Bazuar në këtë filozofi, Shqipëria mbështet tërësisht bisedimet Kosovë - Serbi për çështjet praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, mbështet gjithashtu, vijat e kuqe që ka vënë Qeveria e Kosovës.

Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohet qartë, pa ekuivoke, sa më shpejtë dhe me garanci ndërkombëtare, që do të sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale dhe më gjerë.

Më lejoni të rikonfirmoj edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë, se çështja e statusit të Kosovës dhe e kufijve të saj është një çështje e mbyllur. Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës, në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht.

Fati i qytetarëve të Kosovës është i lidhur ngushtë me forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kosovës.

Duke fuqizuar shtetin e Kosovës, qytetarët e saj garantojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Ne shqiptarët, kemi treguar se dimë të jetojmë në harmoni me fqinjët dhe kemi pasur një bashkëjetesë fetare historikisht harmonike. Për këto arsye, forcimi i faktorit shqiptar duhet parë jo si kërcënim, por thjeshtë si garanci për paqen dhe sigurinë në rajon.

Shqiptarët do të jenë së bashku në Bashkimin Evropian.

Ne shqiptarët, ndonëse të ndarë në disa shtete, kemi një rrugëtim të përbashkët, të vështirë, por vetëm me një alternativë: integrimin evropian.

Ne jemi dhe duhet të jemi së bashku në një betejë për të fituar kohën.

Kosova ka mundësinë të shfrytëzojë eksperiencën e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave, të përafrimit ligjor me standardet evropiane, në komunikimin me institucione të BE-së, bashkëpunimin me NATO-n dhe në shumë çështje të tjera. Por, Kosova, gjithashtu, mund të mësojë jo vetëm nga historitë e shumta të suksesit të Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik, por edhe të mos përsëris gabimet e saj.

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, bazuar në vullnet të fortë politik dhe qytetar, do të zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë vëllazëror. Ne kemi ndërtuar kryesisht një infrastrukturë moderne dhe një bazë ligjore të shëndoshë, që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, unifikimin e tregut dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. Mbetet të jemi më efektivë në shfrytëzimin praktik të këtyre aseteve.

Të dashur miq, të nderuar deputetë,

Ne po festojmë 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, një ngjarje që na mbush me emocione dhe njëkohësisht na bën të bëjmë një bilanc historik.

Pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë e qytetarëve në Shqipëri dhe procesi i nisur për qytetarët e Kosovës, arritjet në procesin e integrimit evropian, fillimi i procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës, janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi, jo vetëm gjatë 100 viteve të fundit, por në të gjithë rrugëtimin mijëra vjeçar të kombit shqiptar.

Ne kemi potencialet e nevojshme dhe mbështetjen e duhur nga aleatët tanë, për të shpejtuar kohën. Por, gjithçka bazohet në meritë, pra në performancë. Jemi ne ata që kemi fatin tonë në dorë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Jam i bindur, se ju, udhëheqësit e Kosovës, institucionet e vendit, intelektualët dhe të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie apo besimi fetar, do ta bëjnë këtë vend më të lirë, më demokratik dhe më të begatë ekonomikisht.

Do ta bëni këtë vend një nga kontribuuesit e rëndësishëm të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit dhe hapësirave të lira për lëvizje dhe zhvillim.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ju faleminderit!"

Seancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bujar NishaniSeancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bujar NishaniSeancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bujar NishaniSeancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani