Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson
E Mërkure, 29.08.2012
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, ka pritur sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,në Prishtinë, znj.Tracey Jacobson, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së.
Kryeparlamentari Krasniqi e ka uruar ambasadoren Jacobson për detyrën e re në krye të misionit të SHBA-së në Kosovë, duke u shprehur i bindur se sa do të vijë e forcohen marrëdhëniet shumë të mira me të gjithë mekanizmat institucional të vendit mik, të cilin Kosova e vlerëson aleatin më të rëndësishëm të saj dhe i cili e ka mbështetur Kosovën në të gjitha proceset jo të lehta që i ka kapërcyer vendi ynë. Ai në këtë mes ka vlerësuar lart marrëdhëniet me Kongresin Amerikan dhe bashkëpunimin shumë të ngushtë me USAID-in dhe me Instituition Nacional Demokratik (NDI) për funksionalizimin dhe demokratizimin e brendshëm të partive politike, dhe në mënyrë të veçantë për mbështetjen e demokracisë parlamentare në Kuvendin e Kosovës .
Krasniqi e ka njoftuar ambasadoren edhe me punën që po bën Kuvendi për miratimin e legjislacionit, si dhe për kohezionin politik që ka arritur për çështje të rëndësishme të vendit.
Temë e pakapërcyeshme e takimit të sotëm kanë qenë edhe reformat kushtetuese dhe zgjedhore që po bëhen në Kosovë, sidomos për sa i përket amendamentimit të Kushtetutës dhe të ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, por është folur edhe për bisedimet me Serbinë. " Ne kemi qenë në vazhdimësi për bisedime me serbët e Kosovës dhe me Serbinë, por dëshirojmë që në këto bisedime Kosova dhe Serbia t'i heqin qafe të gjitha pengesat dhe mosmarrëveshjet që kemi si dy vende fqinj, por natyrisht kërkojmë mbështetje për këto bisedime nga SHBA-ja dhe BE-ja, pasi që përvojat na mësojnë se me Serbinë edhe kur kemi biseduar, gjatë viteve të shkuara, nuk jemi marrë vesh", ka nënvizuar Krasniqi.
Ambasadorja e SHBA-së, në Prishtinë, Tracey Jacobson ka shprehur kënaqësinë për vizitën e saj të parë në Kuvend. "Ishte mundësi e mirë të dëgjoj për prioritet legjislative të Kuvendit, për punët që janë kryer dhe që duhet të kryhen deri në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë", u ka deklaruar Jacobson gazetarëve, pas takimit. Ajo e ka përgëzuar z. Krasniqi për punën e bërë deri më tani. "Do të jemi në marrëdhënie të ngushta, për derisa Kuvendi vazhdon t'i përditësojë punët e tij në legjislacion dhe demokratizim", është zotuar ambasadorja Jacobson.