Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Mërkure, 29.08.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit, u shqyrtuan pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011.

Pas prezantimit të këtij raporti nga ana e përfaqësuesve të kompanisë Deloitte, e cila ka kryer këtë auditim, foli edhe Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson, për të dhënë sqarime të mëtutjeshme për anëtarët e komisionit në disa çështje që janë të përfshira në raport.

Anëtarët e komisionit duke theksuar se për dallim nga viti paraprak ZAP-i ka shënuar avancim, kërkuan që rregulloret e prokurimit publik të jenë të zbatueshme sipas ligjit, si dhe dosjet e personelit të jenë të kompletuara. Ndërkaq, duke vlerësuar për punë kualitative kompaninë që ka kryer këtë auditim, u theksua fakti se të gjeturat të cilat janë hasur në këtë raport janë të një shkalle të ulët dhe se këto të gjetura nuk e zbehin kualitetin e punës që është bërë në ZAP.

Gjatë këtij takimi Auditori Gjeneral, Large, tha mes tjerash se janë në përpjekje të eliminimit të gabimeve sa i përket menaxhimit financiar, ndërsa sa i përket dosjeve të personelit, ai shtoi se ZAP-i aktualisht është në përfundim e sipër të transformimit të kontratave të stafit, në akte emërimi

Pas shqyrtimit të raportit Vjetor të Performancës dhe pasqyrave të audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011, anëtarët e komisionit përkrahën raportin për procedim në seancë plenare.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike