Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 29.08.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, shqyrtoi sot raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për gjashtëmujorin e vitit 2012 dhe kërkesat buxhetore të Kuvendit në bazë të Qarkores së dytë të Ministrisë së Financave 2013/02.
Raportin, para komisionit, e prezantoi Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili bëri një përmbledhje të shpenzimeve për periudhën gjashtëmujore të këtij viti. Duke ofruar përqindjet e shpenzimeve, ai tha se administrata e Kuvendit është përpjekur që buxhetin ta shpenzojë konform kërkesave të aprovuara dhe në pajtueshmëri të plotë me dispozitat ligjore.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi mbledhjen, raportin e konsideroi të detajizuar, i cili, si i tillë, ofron mundësi për të parë çdo shpenzim të Kuvendit.
Edhe në këtë mbledhje u shtrua çështja e Vila Gërmisë dhe nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje për këtë objekt.
Pas diskutimeve, raporti u përkrah nga komisioni dhe iu rekomandua Kryesisë së Kuvendit për miratim.
Komisioni përkrahu edhe kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës në bazë të Qarkores së dytë të Ministrisë së Financave 2013/02, të cilat, gjithashtu, i prezantoi sekretari Krasniqi.