Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës
E Marte, 28.08.2012
Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shqyrtoi sot amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me amendamentet e propozuara.
Kryetari i komisionit, Arsim Bajrami, i cili udhëhoqi mbledhjen, tha se miratimi i këtyre amendamenteve i hapë rrugë sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës.
Komisioni përkrahu amendamentet kushtetuese, me përjashtim të amendamentit që ka të bëjë me refugjatët, i cili është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe u dakordua që të vendoset në kaptinën për liritë dhe të drejtat e njeriut.
Komisioni përkrahu gjithashtu, edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me amendamentet e propozuara, duke e proceduar për shqyrtim të dytë në seancë plenare.