Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 28.08.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi pesë projektligje dhe një raport vjetor financiar.
Komisioni shqyrtoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Metrologji, me amendamente të komisionit funksional, ndërsa pas sqarimeve nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe atyre të Tregtisë e Industrisë, e përkrahu atë, duke e proceduar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ndërkaq, dha sqarimet e nevojshme lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftimin. Pas diskutimeve, komisioni përkrahu këtë projektligj, me amendamente të komisionit funksional.
U përkrahën, gjithashtu, edhe tri projektligje të tjera: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën kontestimore, Projektligji për bujqësinë organike dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural.
Raporti financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin 2011, u shoqërua me diskutime nga ana e deputetëve, veçanërisht lidhur me pagat zëvendësve të Avokatit të Popullit. Anëtarët e komisionit ngritën, gjithashtu, edhe një varg çështjesh dhe shtruan pyetje në adresë të Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, i cili para komisionit prezantoi raportin vjetor.
Pas diskutimeve, raporti u përkrah nga komisioni dhe u procedua për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.