Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 28.08.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua raporti vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës dhe pasqyrat e audituara financiare, për vitin 2011. Në këtë takim ishte i pranishëm guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, i cili raportoi në komision lidhur me këtë raport, duke u përgjigjur po ashtu në disa nga çështjet që u ngritën gjatë këtij takimi nga anëtarët e komisionit.

Fillimisht, kryetari i komisionit Ali Sadriu, theksoi se raporti vjetor i BQK-së dhe pasqyrat e audituara financiare, për vitin 2011, ka dhënë sinjale të qarta se BQK-ja ka shënuar një progres krahasuar me vitin paraprak. Madje këtë fakt e pohuan edhe anëtarët tjerë të komisionit. Mes tjerash Sadriu përmendi fillimin e tregut të letrave me vlerë duke e cilësuar si një sinjal pozitiv që po lëviz, ndërsa si mangësi ai e përmendi edhe kartonin e gjelbër për bashkatdhetarët nga diaspora.


Me këtë rast guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, duke folur për zhvillimet ekonomike, aktivitetin e tyre mbikëqyrës, pasqyrat financiare, si dhe për projektet të cilat janë në zhvillim e sipër nga BQK-ja, tha se shteti ynë vitin 2011 e ka përmbyllur me një përfomancë stabile makroekonomike. Sipas tij rritja reale e prodhimit bruto të brendshëm i vendit tonë ka qenë për 5 për qind. Ndërsa, shtoi se deficiti i lartë në llogarinë rrjedhëse vazhdon të mbetet sfidë për ekonominë e vendit tonë. Sipas tij për gjatë këtij viti BQK-ja ka avancuar edhe agjendën legjislative të sektorit financiar, duke përmendur më tej faktin se asetet e sektorit financiar, vitin e kaluar janë përmbyll me rreth 3 miliard e gjysmë.


Guvernatori Gërguri duke folur edhe për mbikëqyrjen e BQK-së ndaj institucioneve tjera financiare vlerësoi se në këtë aspekt ka përmirësime ndaj pagesës së dëmeve nga ana e kompanive të sigurimeve.
Më tej guvernatori Gërguri foli edhe për projektet të cilat janë në zhvillim e sipër nga ana e këtij institucioni, ndërkaq theksoi se me ndihmën e Bankës Botërore janë duke punuar në hartimin e legjislacionit sekondar. Po ashtu ai tha se më 17 shtator do të kenë një mision të përbashkët me FMN-në dhe Bankën Botërore për të realizuar një program të vlerësimit të sektorit financiar të shtetit.

Nënkryetari i komisionit, Ramiz Lladrovci, dhe anëtarët Adem Grabovci e Valbona Dibra, duke vlerësuar pozitivisht raportin e BQK-së, përgëzuan guvernatorin për punën që është bërë në këtë institucion. U theksua se viti 2011 është përmbyllur më një stabilitet të qëndrueshëm financiar. Ndërkaq, kërkuan sqarime nga guvernatori lidhur me normat e interesit nëse do të kishte ndonjë rrugëzgjidhje për ulje të kësaj norme, si dhe për kartonin e gjelbër

Ndërsa, anëtari i komisionit, Armend Zemaj, duke kritikuar qeverinë për faktin se nuk i ka kushtuar vëmendje zhvillimit ekonomik tha se BQK-ja duhet të jap rekomandime më të qarta se si të dilet nga kriza ekonomike. Ndërkaq, sa i përket normave të larta të interesit, ai tha se roli i BQK-së shihet vetëm si përcjellëse, meqë nuk është hasur në ndonjë shtytje konkrete rreth uljes së normave. Më tej, kryetari i komisionit Ali Sadriu, si dhe anëtari i komisionit Armend Zemaj, kërkuan sqarime nga guvernatori Gërguri lidhur me operimin e bankave ilegale në territorin e Kosovës.


Guvernatori Gërguri duke u përgjigjur në shqetësimet e deputetëve për normat e larta të interesit tha se BQK-ja është e limituar, meqë Kosova nuk e ka valutën e saj. Prandaj, shtoi ai, nuk mund të ushtrohet kredi monetare dhe kreditore. Megjithatë, ai pranoi se këto norma janë të larta, por BQK bashkarisht me institucionet e Kosovës do të bëjnë përpjekje maksimale për të kontribuar në rënien e mëtejmë të këtyre normave. Ndërsa, sa i përket çështjes së ekzistimit të ndonjë banke ilegale në territorin e Kosovës ai tha se në rast të ndonjë informacioni për raste të tilla, do të ndërmerren masa të menjëhershme, ndërsa përmendi edhe ekzaminimin e dy zyrave në dy komuna të Kosovës.

Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit pas këtij diskutimi, përkrahën për procedim në Kuvend raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës dhe pasqyrat e audituara financiare, për vitin 2011.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike