Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti sot anëtarët e Këshillit organizativ për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur
E Marte, 28.08.2012
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, ka pritur sot anëtarët e Këshillit organizativ për shënimin e 30 Gushtit-Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, të kryesuar nga, Prenk Gjetaj, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Anëtarët e Këshillit organizativ e kanë njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi për çështjen ende të pazgjidhur të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur dhe të zhdukur, e cila i preokupon jo vetëm familjarët tyre, por gjithë Kosovën. Ata me këtë rast e kanë njoftuar kreun e Kuvendit edhe me përgatitjet e deritashme të Këshillit për shënimin e 30 Gushtit-Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur dhe e kanë ftuar atë që të marrë pjesë në aktivitetet që do të organizohen në këtë ditë.
Kryeparlamentari Krasniqi ka bashkëndjerë dhembje me familjarët e personave të pagjetur dhe të zhdukur gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke u angazhuar që sa më parë të zbardhet fati i tyre. Duke folur për atë se ç'do të bëhet me fotografitë e personave të zhdukur, të vendosur në rrethojat e ndërtesës së Kuvendit, nëse në kuadër të sistemimit të sheshit përballë Kuvendit, hiqen ato, Krasniqi ka pohuar se, me planin e Komunës së Prishtinës për rregullimin e sheshit, parashihet të ngrihet një obelisk. Për më tepër Krasniqi ka theksuar se ka ardhur koha të mendohet për ngritjen e një memoriali, në Prishtinë, për sakrificën e madhe të popullit të Kosovës për lirinë e vendit.