Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Hënë, 27.08.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, u shqyrtua dhe u përkrah raporti përfundimtar për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-099 për letërnjoftim.

Më tej, komisioni u njoftua lidhur me takimin që kanë pasur me z. Reinhold Robbe, ish-komisionar i Bundestagut për Forca të Armatosura dhe këshilltar për mbrojtje në Qeverinë e Gjermanisë, i cili ka vizituar Kuvendin e Kosovës, në kuadër të Projektit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Gjermanisë dhe Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së. Me këtë rast anëtarët e komisionit diskutuan për çështjen e ngritjes së institucionit të Komisionerit të Kosovës për forcat e sigurisë së Kosovës, si dhe për themelimin e grupit të punës për hartimin e ligjit për Komisionerin.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit diskutuan edhe për çështjen e zjarrit që ka prekur disa komuna të Kosovës. Me këtë rast anëtari i komisionit, Rasim Demiri, njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me situatën që po mbretëron në komunën e Dragashit. Ai tha se fillimisht zjarri ka prekur Shqipërinë dhe më pas ka kaluar në territorin e Kosovës. Kjo ka ndodhur më 10 gusht, theksoi Demiri.
Komuna e Dragashit nuk është treguar shumë e interesuar që të lokalizohet ky zjarr, tha Demiri. Ai përmendi se deri më tani nga zjarri janë djegur rreth dy mijë hektar, duke sqaruar se disa nga banorët e fshatit kanë braktisur shtëpitë. "Ajo që e rëndon jetën e banorëve është tymi nga zjarri, andaj ata kanë lëshuar shtëpitë e tyre. Rreziku i madh ka kaluar edhe pse zjarri akoma është duke vazhduar", theksoi mes tjerash deputeti Demiri.

Anëtarët e komisionit gjatë diskutimit të tyre rreth kësaj çështje theksuan se institucionet e vendit duhet të përmbushin obligimet e tyre dhe të ndërmarrin veprime më konkrete për lokalizimin e zjarrit.
Duke e vlerësuar gjendjen e rëndë në teren nga përfshirja e zjarrit, me theks të veçantë në Komunën e Dragashit, u theksua se do të kërkohet një raport i përgjithshëm nga institucionet përkatëse për vatrat e zjarrit dhe dëmet që janë shkaktuar në teren.


U theksua se komunat nga të hyrat vetanake duhet krijojnë buxhet për raste emergjente, ndërsa u theksua se edhe Ministria e Financave duhet të ndajë buxhet për komunat për raste emergjente.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së