Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 27.08.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtuan propozimet për anëtarë të Këshillit në Komisionin për Ndihmë juridike falas. Nga propozimet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Ministrisë së Financave, Odës së Avokatëve, Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe OJQ-ve, mbështetjen e anëtarëve të komisionit me shumicë votash e morën këta anëtarë: Emrush Kastrati, Fadil Rracaj, Nenad Stojçetoviç, Bahrije Berisha, Armend Krasniqi, Afrim Shala, si dhe Shukrije Gashi.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit caktuan grup pune për shqyrtimin e projektligjit për shfuqizimin e neneve 37,38 dhe 39 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa përkrahën raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-124 për Ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-203 për Metrologji.
Tutje, në rend dite ishte edhe njoftimi i komisionit me formularët e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Me këtë rast u theksua se Komisioni për Legjislacion ka pranuar formularët e deklarimit të pasurisë së këtyre zyrtarëve dhe se AKK-ja ka përmbushur obligimin ligjor. Për çështje të tjera, në rast të ndonjë dyshimi, duhet të merren organet hetuese, u theksua gjatë këtij takimi.
Në vijim të mbledhjes në rend dite ishte edhe shqyrtimi i kërkesës së pensionistëve dhe invalidëve të punës të Republikës së Kosovës, si dhe reagimi i KGJK-së dhe IGJK-së për Projektligjin për pagat e funksionarëve publik. U theksua se këto dy çështje nuk janë në fushëveprimin e komisionit dhe me këtë duhet të merren komisionet tjera përkatëse. Ndërsa, shqyrtimi në parim i Projektligjit për procedurën përmbarimore, është shtyrë për një mbledhje tjetër të radhës.