Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Hënë, 27.08.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në fillim u shqyrtua në parim Projektligji për Veprimtari kërkimore, shkencore, inovacione dhe
teknologji nr.04/L-135. Përkitazi me këtë Projektligj u zhvillua debat mjaft i gjerë. U dha propozimi që në Projektligj të parashihet edhe themelimi i Agjensionit kombëtar për shkencë, si dhe Institucioni pedagogjik. Ndër vërejtjet e sugjerimet që dhanë diskutuesit ishin edhe ato që kanë të bëjnë me evitimin e disa formulimeve të stërzgjatura. Po kështu, u tha se në Projektligj zënë përqindje të madhe nenet, me të cilat propozohet që disa çështje të rregullohen me udhëzim administrativ, në vend se të jepen zgjidhje përkatëse ligjore. Kërkohej që edhe qëllimi i Projektligjit të përcaktohet më mirë.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Projektligjin për Arsim dhe Aftësim Profesional nr.04/L-138. Gjatë diskutimit u theksua se është e nevojshme që disa dispozita të Projektligjit të harmonizohen edhe me ligjet tjetra që kanë të bëjnë më këtë veprimtari. Anëtarët e Komisionit angazhoheshin për zgjidhje sa më adekuate ligjore. Të dy projektligjet u përkrahën në parim, ndërsa do të vijojë puna në grupe punuese për shqyrtimin dhe propozimin e amendamenteve.

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media