Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 27.08.2012
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, do t'u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën solemne, e cila do të mbahet më 30 gusht të këtij viti. Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Këtë të enjte mbahet gjithashtu seanca e rregullt, sipas rendit të ditës së përcaktuar nga Kryesia në 21 gusht.
Kryesia, në mbledhjen e sotme, ka miratuar edhe rendin për seancën e rregullt të 6 shtatorit.
Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për kredi dhe projekt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KFQW), lidhur me fabrikën e ujit në Shkabaj, Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, si dhe Projektligjin për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për grevat.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L- 049 për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.