Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur

E Mërkure, 22.08.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur, të kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare e Komisionit, ishte ftuar Avokati i Popullit,Sami Kurteshi, që para Komisionit të prezantojë Raportin Vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2011. Me këtë rast, Avokati i Popullit,Sami Kurteshi, i bëri një vështrim të gjerë përmbajtjes së Raportit, duke theksuar se në të janë përfshirë të gjitha fushat e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut të parapara me Kushtetutë. Në vijim, ai theksoi se në këtë vit raportues është shtuar diku 10 deri 12 për qind numri i ankesave të qytetarëve drejtuar këtij institucioni, por është një fakt pozitiv se mbi 50 për qind e ankesave drejtuar nëpërmjet këtij institucioni, janë zgjidhur nga organet kompetente. Numri më i madh i ankesave, tha ai, janë kundër vendimeve të gjykatave. Brengos fakti se në rastet kur lëndët nuk zgjidhen nga organet përkatëse , atëherë palët iu kthehen metodave të vjetra, që kanë të bëjnë sidomos me konteste të ndryshme nga lëmi pronësor, duke pasur si pasojë ashpërsimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve. Në vijim të fjalës së tij, Sami Kurteshi, tha se për shkak të papërgjegjësisë së operatorëve ekonomik dhe të qytetarëve po degradohet edhe ambienti jetësor, sepse të tillët shikojnë vetëm interesin e tyre, e jo edhe pasojat që sjellin veprimet e tyre. Z. Kurteshi përmendi edhe çështjen e mosimplementimt të ligjeve, si dhe të pengesave të lirisë së lëvizjes së qytetarëve në veri të Mitrovicës, sidomos pas ngritjes së barrikadave nëpër rrugë.

Në Raport theksohet se përkundër faktit së tashmë Republika e Kosovës ka mekanizma ligjor dhe insitucional për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, ato vazhdojnë të mos respektohen në masë të duhur. Kjo gjendje është pasojë e joefikasitetit të mekanizmave ekzistues, si dhe angazhimit jo të mjaftueshëm të institucioneve publike në zbatimin e ligjeve që janë në fuqi. Format e ndryshme të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut ende janë evidente. Në Raport, po kështu theksohet se rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut shqyrtohen me kujdes nga ana e Avokatit të Popullit, ndërsa kur është konstatuar se ka shkelje të të drejtave , Avokati i Popullit ka dalë edhe me rekomandime, të cilët u janë dërguar institucioneve përkatëse , por ato nuk janë marrë parasysh çdo herë.

Në debatin e gjerë që pasoi, i cili përshkohej me shumë pyetje nga ana e deputetëve dhe përgjigje të Avokatit të Popullit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, u shtruan shumë çështje. Nga ana e deputetëve u tha se megjithëse Raporti është mjaft i gjerë, ai nuk ka përfshirë disa çështje, siç janë , barazia gjinore,trafikimi i fëmijëve, shpenzimet e shfrytëzimit të telefonave mobil, pastaj çështjen e shkeljes së Ligjit të Punës dhe atij të Shërbyesve civilë, dhe të disa mospërputhjeve ndërmjet këtyre dy ligjeve etj.

Megjithë vërejtjet e sugjerimet e shtruara, deputetët ishin të pajtimit se Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2011 është shumë i mirë dhe i qartë dhe se problemet i paraqet realisht. Në këtë frymë,Komisioni vendosi të përkrahë këtë Raport dhe ta procedojë më tutje për shqyrtim në Kuvend.

Mbledhja e Komisionit për të Drejtat  e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur