Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ish-komisionarin e Bundestagut, z.Reinhold Robbe
E Marte, 21.08.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me z.Reinhold Robbe, ish-komisionar i Bundestagut për Forca të Armatosura dhe këshilltar për mbrojtje në Qeverinë e Gjermanisë. Pasi u falënderua për pritjen, z.Reinhold Robbe shprehu kënaqësinë për zhvillimin e hovshëm të Kosovës, ndërsa në vijim theksoi se ai gjendet në vizitë në Kosovë në kuadër të Projektit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Gjermanisë dhe Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së. "Bëjmë përpjekje të bartim përvojat tona edhe në shtetin e Kosovës", tha z. Robbe.
Duke e falënderuar z.Reinhold Robbe, për këtë vizitë dhe për punën që po bën në këtë projekt, kryekuvendari Krasniqi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut Gjerman. Njëkohësisht, kreu i legjislativit të vendit falënderoi edhe Ambasadën Gjermane për punën që po bën në Kosovë."Vlerësoj se Gjermania ka bërë e po bën shumë për Kosovën, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në fushat tjera", theksoi kryekuvendari Krasniqi. Po kështu, ai shprehu mirënjohje edhe për kontributin e GIZ-it dhënë Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit Krasniqi shprehu gatishmërinë për shfrytëzimin e përvojave gjermane në fushën e sigurisë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi.