Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione
E Marte, 21.08.2012
Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, u shqyrtua plani i punës së komisionit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012, si dhe peticioni nga Këshilli Organizativ i fshatit Orllan, të komunës së Podujevës.
Gjatë shqyrtimit të peticionit të Këshilli Organizativ të fshatit Orllan të komunës së Podujevës, ishte prezent edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili dha disa sqarime para anëtarëve të komisionit lidhur me problemet me ujësjellës dhe kanalizim të këtij fshati, të cilat çështje janë theksuar në këtë peticion.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, Veliu, theksoi se regjioni i Orllanit ka probleme me ujësjellësin dhe rrjetin e kanalizimit, megjithatë shtoi ai, ky projekt është i kushtueshëm, duke vënë në pah problemet që ka ky regjion me çështjen e pronave.
Ndërkaq, më tej sqaroi se çështja e ujësjellësit nuk është përgjegjësi e komunës të cilën e udhëheq ai. Më tej Veliu tha se ka pasur premtime nga Kompania e Ujësjellësit për sigurim të buxhetit, porse kjo çështje akoma ka mbetur e pazgjidhur. "Komuna e Podujevës me buxhetin që posedon nuk ka mundësi të sigurojë mjete për rregullimin e kanalizimit në këtë pjesë", theksoi Veliu, duke shtuar se kërkesa e ngjashme është bërë edhe në Qeverinë e Kosovës. Më tej, duke iu përgjigjur disa kritikave të anëtarëve të komisionit por moszgjidhjen e këtij problemi, Veliu tha se komuna e Podujevës është e gatshme të kontribuoj në këtë drejtim, meqë për vitin e ardhshëm komuna ka paraparë të ndajë buxhet lidhur me këtë çështje.