Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi ngushëllon familjen Xhaferi
E Mërkure, 15.08.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Xhaferi, me rastin e vdekjes së atdhetarit, veprimtarit dhe intelektualit të shquar, Arbën Xhaferi.
Në telegram thuhet:
E nderuar familje Xhaferi,
me hidhërim të thellë mësova lajmin për vdekjen e atdhetarit, veprimtarit dhe intelektualit të shquar, mikut tim të shtrenjtë, Arbën Xhaferi.
Vdekja e tij përbën humbje të madhe për mbarë kombin shqiptar.
Arbën Xhaferin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur atdhetare e politike që u ka lënë brezave. Ai do të kujtohet për guximin, sakrificën dhe mprehtësinë intelektuale, me të cilën i dha mençuri politikës shqiptare në plan mbarëkombëtar.
Duke ndarë dhembjen bashkë me ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta.