Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi ngushëllon kryetaren e Parlamentit të Ganës, znj. Bamford-Addo
E Mërkure, 25.07.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryetares së Parlamentit të Ganës, znj. Joyce Adeline Bamford-Addo, me rastin e vdekjes së Presidentit të këtij shteti, John Atta Mills
Në telegram thuhet:
"E nderuar znj. Joyce Adeline Bamford-Addo,
Me keqardhje të thellë mësuam lajmin për vdekjen e Presidentit të Republikës së Ganës, John Atta Mills. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe në emrin tim, ju shpreh Juve Shkëlqesi dhe familjes së z. Mills, ngushëllimet më të sinqerta.
Presidenti Mills ishte një luftëtar i madh për përmirësimin e drejtave të njeriut dhe jetës së popullit të tij.
Ju siguroj se Republika e Kosovës ka respekt të veçantë për popullin dhe për shtetin e Ganës. Shpreh bindjen time të fuqishme se bashkëpunimi do të forcohet edhe më shumë në të mirën e popujve dhe të vendeve tona.
Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë".