Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane priti sot zv/drejtorin e përgjithshëm të Drejtoratit për Zgjerim në KE, z. Joost Korte
E Enjte, 12.07.2012
Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, u takua sot me zv/drejtorin e përgjithshëm të Drejtoratit për Zgjerim në Komisionin Evropian, z. Joost Korte.
Temë diskutimi ishte takimi i nesërm plenar i Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit me institucionet e Kosovës, detyrat kryesore të Kosovës sa i përket studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe për sfidat dhe rolin e Kuvendit të Kosovës.
Fiilmisht kryetari i komisionit parlamentar për integrime evropiane, z. Lutfi Haziri, informoi z.Korte për rolin dhe angazhimet e Komisionit Parlamentar dhe të Kuvendit, duke theksuar mes tjerash se aktualisht 16 ligje janë në monitorim nga ana e deputetëve, ndërsa shtatë sektorë të ministrive kanë vendosur raportim të rregullt në komisionet parlamentare.
Duke folur për rolin e Kuvendit, ai tha se ka angazhime monitoruese ndaj qeverisë, mirëpo shtoi se Kuvendi është larg realizimit të monitorimit të plotë të qeverisë nga Kuvendi dhe organeve tjera kushtetuese.
Disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se roli i qeverisë është më i madh se sa i Parlamentit, duke vënë në pah faktin se kjo mbetet si pasojë e Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.
Zv/drejtori i përgjithshëm i Drejtoratit për Zgjerim në Komisionin Evropian, z. Joost Korte, duke folur për procesin e dialogut të Stabilizim Asociimit dhe duke njoftuar anëtarët e komisionit për takimin e nesërm me institucionet e Kosovës për Dialogun e Procesit të Stabilizim Asociimit, tha se studimi i fizibilitetit, i cili do të gjenerojë në Bruksel do të jetë pjesë e pakos së tetorit. Ai tha se këtë këtë vit Kosova nuk do të ketë Raport të Progresit, por do të ketë Studimin e Fizibiltetit për marrëveshjen e Stabilizm Asociimit.
Ai sqaroi se është duke u finalizuar Studimi i Fizibilitetit për nivelin e tyre të brendshëm, duke shtuar se 10 tetori do të jetë dita kur do të prezantohet pakoja për të gjitha vendet për zgjerim, me ç‘rast do të paraqitet studimi për Kosovën.
"Jemi të prirë që ta lëvizim Kosovën drejt rrugës së integrimeve evropiane dhe marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një hap shumë i rëndësishëm në këtë proces", theksoi z. Korte.
Më tej ai numëroi pesë pikat kyçe në të cilat do të përqëndrohet studimi i Fizibilitetit, si: reforma e administratës publike, përmirësimi i sundimit të ligjit, integrimi i minoriteteve, kapaciteti për tregti (eksporti-importi), si dhe reformat e sistemit zgjedhor.
Krahas studimit të fizibilitetit u diskutua edhe për dialogun për vizat, si dhe për dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit.
Më tej nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetari i komisionit parlamentar për integrime evropiane, Xhavit Haliti, theksoi se janë të vetëdijshëm se të gjitha obligimet dhe detyrimet duhet të plotësohen në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e integruar e Evropës.
Anëtarët e komisionit parlamentar thanë se institucionet e Kosovës do të angazhohen dhe do të koordinojnë punët në mënyrë që të përmbushin detyrimet në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat evropiane.