Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

E Enjte, 12.07.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012 dhe zhvilloi interpelancën me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, lidhur me vendimin e marrë nga MTI-ja për vendosjen e tarifës prej 35 % për importimin e çimentos nga Shqipëria.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar: Bajram Rexhepi, Sllobodan Petroviq dhe Radojca Tomiq.

Raportin me amendamente të Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012, e paraqiti dhe arsyetoi kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj. Pas miratimit të amendamenteve të propozuara nga komisioni, Kuvendi miratoi projektligjin në tërësi.

Sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, u përgjigj në interpelancën lidhur me vendimin e marrë për vendosjen e tarifës prej 35 % për importimin e çimentos nga Shqipëria.

Deputeti Emin Gërbeshi, në emër të deputetëve nënshkrues, tha se ky vendim ka prodhuar pasoja ekonomike, ka ngritur çmimin e çimentos deri në 20 për qind, ka eliminuar konkurrencën e lirë në treg, duke krijuar monopol vetëm për një kompani, ka rritur koston e ndërtimeve duke krijuar inflacion në sektorin e ndërtimtarisë, ka rrezikuar shumë firma importuese të këtij produkti, duke i çuar drejt falimentimit. Sipas tij, një vendim i tillë mund të acarojë marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve.

Duke kontestuar bazën ligjore të këtij vendimi, ai kërkoi shfuqizimin e tij.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ndërkaq, shtjelloi gjerësisht ecurinë e marrjes së këtij vendimi, motivet dhe efektet e tij. Ajo tha se ky është vendim publik dhe transparent, dhe se nuk është vendim kundër Shqipërisë. Sipas saj, vendimi për masat e përkohshme mbrojtëse është për të gjithë importin e çimentos që hyn në Kosovë, pa marrë parasysh vendin prej nga vjen.

"Ngritja drastike e importeve të çimentos në Kosovë në vitin 2011 dhe 2012, është rezultat i çimentos së ardhur nga Italia në tregun rajonal. Mirëpo, mendimi që nga ulja e çmimeve përfiton konsumatori është vetëm iluzion. Çmimet e tilla të ulëta mbahen vetëm deri atëherë kur shkatërrohet industria vendore e pastaj çmimi diktohet nga importi. Kjo ka ndodhur në Kosovë para disa viteve me industrinë e vezëve dhe do të ndodhë edhe me çimenton nëse ne nuk reagojmë. Pra, vendimi nuk ka të bëjë me patriotizëm ekonomik e as me lidhje emocionale me Shqipërinë. Është vendim për mbrojtjen e prodhuesve vendorë nga vërshimi i çimentos në Kosovë nga Italia, që ka hyrë në Kosovë përmes tregut rajonal", theksoi ministrja Kusari-Lila, duke shtuar se vendimi ka bazë të plotë ligjore dhe kjo është vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës. Ajo tha se vendimi, gjithashtu, nuk është shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s.

Në vazhdim, ajo tha se të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e BE-së mbështesin industrinë përmes subvencioneve të ndryshme. Në Kosovë, theksoi ajo, industria ka nevojë për investime të reja në mënyrë që të jetë e gatshme për sfidat e reja ekonomike.

"Ministria që unë drejtoj, është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë shqiptare dhe jemi në fazat e fundit të marrjes së një vendimi që do të jetë në benefit të të dyja vendeve", tha në përfundim të fjalës së saj, ministrja Kusari-Lila, duke paralajmëruar ndryshimin e vendimit.

Në vazhdim, përfaqësues të grupeve parlamentare paraqitën qëndrimet lidhur me këtë vendim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, duke e konsideruar interpelancën e sotme të nevojshme, theksoi nevojën e gjetjes së një rrugëdaljeje dhe zgjidhjen e problemit në të mirë të të gjitha palëve.

Ai vlerësoi se kryeministri i Kosovës, me fuqinë ligjore dhe kushtetuese që ka, do të jetë i gatshëm ta shqyrtojë dhe tejkalojë këtë situatë. Grabovci theksoi se qeveria duhet të analizojë me prioritet situatën e krijuar e cila nuk është në favor të relaksimit të tregut, përkundrazi, sipas tij, ka krijuar një huti tek importi kosovar, dhe si të tillë duhet trajtuar dhe rishikuar.

"Ne jemi që të rishikohet qartë masa për taksen e çimentos dhe të garantohet prodhuesi dhe importuesit vendorë që masat nuk mund te jenë ndryshe, pos në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen e CEFTA-s", theksoi Grabovci.

Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, Myzejene Selmani, rekomandoi që ky vendim të rishikohet nga kryeministri dhe kabineti qeveritar në një afat të shpejtë. Ajo tha se Qeveria dhe Kuvendi duhet të sigurojnë një mjedis të favorshëm për investitorin vendor dhe të huaj, në bazë të Kushtetutës. "Mallrat e prodhuara në Kosovë duhet të plasohen në të gjitha vendet dhe të mbrohen nga qeveria në bazë të ligjeve. Qeveria të sigurojë që investuesit dhe produktet në treg të kenë konkurrencë të lirë", theksoi Selmani.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të ministres së MTI-së, theksoi se ky vendim nuk e ka logjikën elementare ekonomike. Ai tha se Ligji mbi masat mbrojtëse në importe u aprovua që t'u shërbejë bizneseve që rrezikohen e jo që një biznes me pozitë dominuese në treg ta shndërrojë në monopol shtetëror. "Ne i gëzohemi rritjes së tregtisë me Shqipërinë dhe politikat tona tregtare duhet të shkojnë në drejtim të lehtësimit sa më të madh të tregtisë mes dy vendeve. Autostradën ‘Ibrahim Rugova' e konsiderojmë si faktorin kyç për integrimet ekonomike shqiptare dhe portën e bizneseve tona për në tregjet e Bashkimit Evropian", u shpreh Beqiri. Ai shtoi se vendimi mbi masën mbrojtëse me 35% tarifë në import të çimentos, nuk e mbron prodhuesin vendor, sepse ai nuk ka kapacitet që të mbulojë tregun, por dëmton konkurrencën e lirë, tregun e çimentos, tërë sektorin e ndërtimtarisë dhe direkt konsumatorin.

Në këtë frymë, edhe deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, shfaqi kundërshtimin ndaj këtij vendimi, duke kërkuar të dijë kriterin bazë mbi të cilin është vendosur kjo masë. "Ne jemi që të vendosen masa mbrojtëse dhe që Kosova të jetë shtet që mbron prodhimet e veta. Kjo do të ishte politika që do ta zhvillonte shtetin e Kosovës. Por, ne nuk po e shohim një gjë të tillë aty ku nevojitet, si në bujqësi, ku importi i produkteve të subvenciuara nga shtetet e rajonit, ka vërshuar tregun tonë dhe e bën të pamundshëm zhvillimin e bujqësisë", theksoi Aliu.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, në emër të AAK-së, vendimin e ministres së MTI-së e konsideroi vendim ad hoc, pa vlerësuar, sipas saj, interesat dhe pasojat eventuale për palët e interesit. Edhe Kadaj-Bujupi kontestoi ligjësinë e këtij vendimi, duke theksuar se ai është në kundërshtim me ligjin. Për zgjidhjen e këtij rasti, ajo kërkoi shfuqizimin e vendimit dhe dorëheqjen apo shkarkimin e ministres Kusari.

Interpelanca vazhdoi me diskutimet e deputetëve të tjerë, ndërsa në mungesë të kuourimit, Kuvendi ndërprehu punimet.

Seanca vazhdon nesër në orën 10:00.

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës