Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Marte, 10.07.2012




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Federatën e Gjahtarëve të Kosovës, mbajti sot dëgjim publik lidhur me zbatimin e Ligjit për Armët Nr. 03/L-143, të kryesuar nga nënkryetari i komisionit Rexhep Selimi.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Bujqësisë, si dhe përfaqësues të Federatës së Gjahtarëve të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Federatës së Gjahtarëve të Kosovës, Rexhep Shkodra, tha se me aprovimin e Ligjit për Armët, gjahtarët e Kosovës kanë ardhur në një situatë mjaft të vështirë meqë ata obligohen t'i nënshtrohen testit teorik dhe praktik për përdorimin dhe ruajtjen e armëve.

"Pas hyrjes në fuqi të ligjit, gjahtarët kanë qenë mjaft të preokupuar dhe kanë reaguar përmes federatës. Iu kemi drejtuar ministrisë që t'i përmbahet dispozitave të ligjit të gjuetisë, i cili parasheh që personat të cilët kanë dhënë provimin për gjahtarë para aprovimit të ligjit, të konsiderohen gjahtarë të kualifikuar", theksoi Shkodra duke shtuar se MPB-ja ka paraparë që t'i nënshtrohen provimit për armë tek një kompani të licencuar nga kjo ministri. Por, kjo u mohua nga zyrtarë të MPB-së, duke vlerësuar se kjo nuk është kompetencë e ministrisë.

Gjatë këtij takimi u kërkua që të gjithë personat të cilët e kanë dhënë këtë provim, të mos i nënshtrohen sërish provimit, ndërsa më tej u ngritën edhe shqetësime tjera, siç është rrezikimi i florës dhe faunës. Me këtë rast, anëtari i kryesisë së kësaj federate, Nuredin Ibishi, mosnjohjen e kualifikimeve të mëhershme të gjahtarëve e quajti neglizhencë të dy ministrive. "MPB-ja e cila është kompetente për zbatimin e ligjit për armë, i injoron këto kualifikime dhe vepron në kundërshtime me Kushtetutën dhe Konventën Ndërkombëtare", theksoi Ibishi duke shtuar se gjahtarët të cilët sillen lirshëm në teren nuk i integrojnë në shoqata dhe gjueti të caktuara.

Xhavit Mustafa, anëtar i kësaj federate, duke folur për shkaqet t të cilat kanë sjellë drejt shkatërrimit të faunës në Kosovë tha se aktualisht 39 mijë e 500 gjuetarë janë në evidencë për posedim të armëve, ndërsa 10 mijë sosh janë të certifikuar, duke kritikuar më tej po ashtu mospranimin e provimeve të këtyre gjuetarëve. "Apeloj të respektohen të drejtat e gjahtarëve dhe të pranohen certifikatat e tyre , ndërsa ata që janë të certifikuar të certifikohen", theksoi Mustafa.

Anëtarët e komisionit kërkuan sqarime të shumta nga përfaqësues të MPB-së, MBPZHR-së, si dhe të Federatës së Gjahtarëve, me theks të veçantë për keqpërdorimin e lejeve dhe armëve të cilat i posedojnë gjahtarët, si dhe për sanksionimet e atyre të cilët keqpërdorin në mënyrë jo ligjore armët dhe ata të cilët shkaktojnë thyerje të kodeve të kësaj federate. Ndërsa, u pajtuan që përsëritja e provimeve të tyre është e pakuptimtë.

Tutje foli edhe Naim Shala nga MPB-ja e cili tha se kjo ministri e ka zbatuar ligjin dhe vazhdon ta zbatojë atë, pavarësisht vështirësive që ka. Ai tha se MPB-ja ka bërë një punë të madhe, duke përmendur edhe realizimin e bazës së të dhënave si dhe krijimin e një disipline, ndërsa shtoi se ligji për gjuetinë nuk ka të bëjë me armën dhe se këto dy ligje mund të kombinohen në të ardhmen.

Pas shqetësimeve që u ngritën gjatë këtij dëgjimi publik nga ana e përfaqësuesve të gjahtarëve , nënkryetari i komisionit Rexhep Selimi tha se komisioni parlamentar për siguri pret iniciativë nga MPB-ja për rishikimin e ligjit për armët. Ndërsa, anëtarët e komisionit u dakorduan që në mbledhjen e ardhshme, komisioni të dali me disa rekomandime për këtë çështje.

Nga dëgjimi publik  i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së