Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 10.07.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar katër projektligje, dy raporte dhe një projeksion buxhetor.

Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për Kredi dhe Projekt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane (KfW) lidhur me Fabrikën e Ujit në Shkabaj, para komisionit e arsyetoi ministri i Financave, Bedri Hamza, duke e konsideruar atë të një rëndësie të madhe për Prishtinën dhe qytetarët e saj.

Komisioni e përkrahu njëzëri projektligjin dhe e procedoi për miratim (ratifikim) në Kuvend.

Ministri Hamza prezantoi, gjithashtu, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, i cili, gjithashtu, u përkrah nga komisioni dhe iu rekomandua seancës që ta shqyrtojë dhe miratojë në parim.

Raporti i punës i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për vitin 2011, u elaborua hollësisht nga guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri. Ai paraqiti një pasqyrë të trendëve të zhvillimit ekonomik përgjatë vitit të kaluar, të cilin e konsideroi pozitiv dhe me një rritje rreth 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Të hyrat buxhetore, sipas tij, kanë pasur, gjithashtu, rritje vjetore rreth 10 për qind, ndërsa shpenzimet vjetore rritje rreth 9 për qind. Sa i përket inflacionit, guvernatori tha se ka pasur trend negativ, me 7.3 për qind.

Anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe shtruan pyetje në adresë të guvernatorit Gërguri, i cili dha sqarimet e nevojshme. Pas diskutimeve, raporti u përkrah nga komisioni dhe u procedua për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.

Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për grevat dhe atë për pasurimin e miellit, me amendamente të komisioneve funksionale, si dhe Projeksionin e buxhetit të RTK-së për periudhën korrik - shtator 2012.

Në këtë mbledhje u miratua edhe raporti i grupit punues të komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Ndërkaq, u krijua grupi punues i cili do ta mbikëqyrë zbatimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa