Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut

E Marte, 10.07.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur, të drejtuar nga Suzana Bovobërdali, kryetare e Komisionit, ishte ftuar ministri i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, për të raportuar lidhur me pikën 74.2 të Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës, e cila e obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme të kujdeset për mbetjet mortore të qytetarëve të Kosovës në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Ministri Hoxhaj, duke folur lidhur me arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ka përmendur aktivitetet e deritanishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Ai me këtë rast ka folur edhe për shqetësimet e ngritura në Kosovë lidhur me dyshimet për ekzistencën e një varreze masive në territorin e fqinjit jugor të Kosovës, në të cilën mund të jenë varrosur viktimat e terrorit serb gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai me këtë rast ka pohuar se nuk ka fakte të qenësishme për ekzistimin e një varreze të tillë masive në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Megjithëse ka pohuar se çështja e mbetjeve mortore nuk bie në fushëveprimin e ministrisë së tij, por më tepër është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, Hoxhaj ka shprehur gatishmërinë e MPJ-së për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, duke u zotuar se pa përtesë do t'i përgjigjet çdo ftese të Komisionit.

Ministri Hoxhaj u është përgjigjur pyetjeve të shumta të anëtarëve të Komisionit, të shtruara në këtë takim.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut