Lajmet e fundit

Nga takimi i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me kryetarët e komisioneve

E Hënë, 09.07.2012




Në një takim të përbashkët të kryetarëve të komisioneve parlamentare, drejtuar nga kryetari Kuvendit dr. Jakup Krasniqi, u fol për  zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane për vitin 2012 dhe për përgatitjet e takimit të tretë plenar të dialogut të procesit të stabilizim asocimit.

Duke iu referuar pikës së parë të rendit të ditës së këtij takimi, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, njoftoi se komisionet funksionale kanë dorëzuar raportet e tremujorit të parë, në të cilat është evidente një performancë më e mirë dhe angazhim më i madh i tyre për përmbushjen e obligimeve të dala nga Raporti i Progresit të KE-së për Kosovën. Ai, po ashtu njoftoi se komisionet (të shumtat prej tyre), kanë dorëzuar edhe raportet e tremujorit të dytë. “Bazuar në përmbajtjen e tyre, me të drejtë presim që raporti i radhës të jetë pozitiv lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës”, tha Haziri. Ndër sfidat me të cilat Kuvendi edhe më tutje ballafoqehet, Haziri vuri në pah nevojën që të rritet niveli i mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, ndërkaq, nga komisionet kërkoi bashkëpunim edhe më të madh gjatë amendamentimit dhe monitorimit të projektligjeve. Në vijim, kryetarët e komisioneve raportuan për punën e komisioneve, në të cilën vihej re angazhimi i tyre në procesin e amendamentimit të projektligjeve, si dhe angazhimet e tyre në monitorimin e ligjeve.

Lidhur me takimin e tretë plenar të dialogut të procesit të stabilizim asocimit, i cili do të mbahet më 13 korrik të këtij viti, kryeparlamentari Krasniqi, kërkoi angazhim maksimal nga përfaqësuesit e Kuvendit në këtë takim. “Ky është takimi kryesor që mbahet ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian” tha ai. Kreu i Kuvendit, në vijim i njoftoi kryetarët e komisioneve me agjendën e këtij takimi. Në këtë takim, tha në vijim Krasniqi, nga Kuvendi i Kosovës kërkohet të paraqesë një prezantim dhe pesë raporte.

Komisionet, të cilat do të paraqesin raporte në këtë takim do të jenë: Komisioni për Integrime Evropiane, (raportues Lutfi Haziri), Komisioni ad- hok për  reformën elektorale, (Haki Demolli), Komisioni për reformë kushtetuese, (Arsim Bajrami). Raportin për punën e Kuvendit do ta paraqesë deputeti, Arben Gashi, Raport për emërimin e Komisionit të Pavarur për Media dhe Bordit të Ankesave është paraparë të përgatitë deputeti, Idriz Vehapi dhe raportin e Kodit Penal të Kosovës do ta paraqesë Behar Selimi. Kreu i Kuvendit, Krasniqi me këtë rast kërkoi që raportuesit e këtij takimi paraprakisht të harmonizojnë qëndrimet, në mënyrë që përfaqësimi të jetë sa më dinjitoz e me të dhëna koncize lidhur me punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga takimi i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me kryetarët e komisioneve